Vritet me armë zjarri Inspektori i Komunës së Prishtinës, Nazmi Rrustemi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në një pyll afërsi të Liqenit të Badovcit në Gjilan.
Siç shkruajnë mediat në Kosovë, lajmi u konfirmua nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Mbrëmë është gjetur një trup i pajetë në pyll, në afërsi të liqenit të Badocit. Në trupin e viktimës janë gjetur plagë që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarri. Me vendim të prokurorit trupi është dërguar për obduksion. Rasti është cilësuar si vrasje e rëndë”– tha Ulaj.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e Rrustemit.
“Mbrëmë Drejtoria e Inspekcionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit. Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli.
Trupi është përcjellë në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit. Familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe si Komunë do të ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira. Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë.
Ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen Inspektorët e Komunës.”– tha Ahmeti.