Vendosni fjalën kyçe....

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Besim Hajdarmatajt


Komisioneri Publik ka kërkuar sot shkarkimin nga detyra të prokurorit Besim Hadarmataj, i cili u transferua te Prokuroria e Tiranës pas shkrirjes së Krimeve të Rënda.

“Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se vendimi për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj.”– thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik.

Besim Hajdarmataj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 16 Tetor, dy ditë pas seancës dëgjimore. Por sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit hetimet për të ishin të mangëta dhe më 5 dhjetorit kërkoi një rihetim të thelluar për kriterin e profesionalizmit dhe atë të pasurisë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Besim Hajdarmataj është prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për akuzën e trafikut të drogës. Gjatë gjashtë viteve të fundit, të vetmet hetime ndaj politikanëve të lartë apo personave të krimit të akuzuar për lidhje me qeverinë, janë filluar gjatë kohës kur Prokuroria e Krimeve të Rënda drejtohej prej Hajdarmatajt, shkurt 2016 – maj 2018.

Përve ç arrestimit të Tahirit, përmendim rastin e Emiljano Shullazit, kokaina në kontenierët në banane, grupi i Avdulajve, dosja 339 e zgjedhjeve në Durrës dhe ajo 184 e zgjedhjeve në Dibër.

Hajdarmataj u shkarkua kur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme erdhi Arta Marku dhe në vend të tij, vendosi Donika Prelën./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *