Vendosni fjalën kyçe....

Meta ia kthen maxhorancës me të njëjtën monedhë: Te Komisioni i Venecias për shkeljet tuaja në zgjedhjen e dy anëtarëve të Kushtetueses


Një tjetër reagim ka ardhur nga Presidenca, lidhur me vendimin e Komisionit Hetimor për t’i kërkuar një ekspertizë më të specializuar Komisionit të Venecias lidhur me shkeljet që maxhoranca pretendon se ka bërë presidenti  Ilir Meta.

Zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi, thotë se edhe Meta do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet e bëra nga Kuvendi në lidhje me zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk mund të frenojmë askënd, e aq më pak Kuvendin e Shqipërisë, të kërkojë këshilla miqësore apo të kundërshtojë në Komisionin e Venecias, Dekretin e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese në plotësim të vakancës së tij.

Shteti Shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik.

Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.”– shkruan Blushi.

Komisioni Hetimor i drejtuar nga Ulsi Manja ka zgjeruar sot objektin e hetimit për veprimet e presidentit në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.  Maxhoranca pretendon se presidenti Meta ka bërë dy shkelje të tjera sa i takon emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo ishte arsyeja pse kërkoi dhe shtyrjen e komisionit me 4 muaj.

Komisioni Hetimor ka votuar unanimisht që t’i drejtohet për opinion Komisonit të Venecias për të marrë një ekspertizë më të specializuar në lidhje me vendimin e Metës për të mos organizuar ceremoninë e betimit të Arta Vorpsit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *