Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kërkuar që SPAK të nisë punën me hetimin e çështjes së privatizimit të OSSH-së, për të cilën është akuzuar dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas tij është e papranueshme që të mbyllet çështja e OSSH-së.
“Unë i uroj punë të mbarë prokurorëve të rinj të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion e cila duhet të shoqërohet menjëherë dhe me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit për hetime të plota, për dosje të pluhurosura, të cilat presin drejtësi. Jam informuar që një pjesë e më shumë se 140 dosjeve që do të jenë puna e parë e prokurorëve, dua të ndaj me ju faktin që një ndër dosjet që unë do i kërkoja SPAK-ut duhet të jetë edhe kallëzimi i bërë nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me gjetjet e raportit të komisionit hetimor për privatizimin e OSSH ku janë kallëzuar autoritete të larta të qeverisë së asaj kohe, filluar nga kryeministri Sali Berisha, jemi informuar nga ana e prokurorisë që prokuroria i është drejtuar gjykatës për ta mbyllur këtë çështje.
Është e papranueshme që kjo çështje të mbyllet.
Kjo çështje duhet hetuar nga prokuroria speciale anti korrupsion dhe do i kërkoja gjykatës që ta kthejë mbrapsht dhe kjo dosje të jetë një prej dosjeve që duhet të shqyrtohet nga SPAK-u. Jemi informuar që gjykata këtë çështje do ta shqyrtojë më datë 27 dhjetor, por është e pakuptueshme tashmë që kemi ngritur këtë njësi speciale për të luftuar korrupsionin që kjo dosje të mbyllet pa u hetuar”, deklaroi Balla nga Elbasani.
Balla foli edhe për projektligjet për mediat të miratuara në Kuvend dy ditë më parë. Ai tha se ligji kundër shpifjes është luftuar vetëm me shpifje nga ana e mediave, në veçanti ato online.