Paralajmërime për zjarre katastrofike janë lëshuar rreth shtetit australian të Uellsit të Ri Jugor, ku zjarrfikësit po përpiqen të vënë nën kontroll flakët në më shumë se 100 vatra.
Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të shtyjnë udhëtimet për Krishtlindje, ndërsa kriza pritet të intensifikohet. Temperaturat në rritje dhe erërat e forta po i përkeqësojnë zjarret përreth 3 shteteve.
Niveli i emergjencës është kryesisht i lartë lidhur me 3 vatra rreth Sidnejt.
Një kombinim i temperaturave mbi 40 gradë celsius, me thatësirën dhe erërat e forta e ka vështirësuar betejën për gati 10 mijë pjesëtarët e personelit të angazhuar për shuarjen e flakëve.
Dy zjarrfikës vullnetarë humbën jetën të enjten ndërsa përpiqeshin të shuanin flakët pranë Sidnejt. Zjarret kanë përfshirë edhe shtetet e Viktorias dhe Australisë jugore, ku dy qytetarë vdiqën ditën e premte.
Që prej muajit shtator, kriza e zjarreve i ka marrë jetën 8 personave, ka shkatërruar më shumë se 700 banesa dhe ka shkrumbuar miliona hektarë tokë.