Vendosni fjalën kyçe....

Dokumenti i origjinal i Lojërave Olimpike shitet për 8.8 milionë dollarë


Dokumenti origjinal i cili i dha jetë Lojërave Olimpike moderne është shitur në ankand për shifrën rekord të 8,8 milionë dollarëve. Rregullorja historike ishte parashikuar të shitej nga 700 mijë deri në 1 milion dollar, por në fund çmimi u rrit më tepër se 8 herë.

Ai i zhvilluar në Nju Jork ishte një ankand i pabesueshëm, ku beteja zgjati për 12 minuta, ndërsa identiteti i blerësit nuk u zbulua. Shitja vendosi një rekord të ri, duke thyer primatin e mëparshëm për uniformën e Babe Ruth të New York Yankees, e cila ishte shitur për 5,4 milionë dollarë.

Dokumenti i Olimpiadës është i vitit 1892 dhe është shkruar me dorë nga Pierre de Coubertin, themeluesi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Ai cilësohej i humbur për disa dekada gjatë periudhës së luftërave botërore, derisa u zbulua nga një koleksionist në Zvicër. 14 faqet që e përbëjnë zbulojnë arsyet përse De Coubertin dëshironte të rikthente traditën antike greke të garave olimpike.

Aty theksohet se lojërat do të shërbenin si një mënyrë që shtetet të konkurronin në mënyrë paqësore.

“Do të eksportojmë sportistë nga të gjitha disiplinat. Ky është shkëmbimi i lirë i së ardhmes dhe dita kur kjo lëvizje do të bëhet pjesë e përditshmërisë së Europës së Vjetër. Kauza e paqes do të marrë një mbështetje të re dhe të fortë”, shkruhej në artifaktin 127-vjeçar, i cili ishte fjalimi i mbajtur nga De Coubertin në Universitetin e Sorbonës në Paris, dy vjet përpara themelimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe 4 vjet përpara Lojërave Olimpike moderne, që u inauguruan në Athinë në vitin 1896.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *