Koalicioni i majtë italian raportohet se po kërkon t’i japë Partisë Komuniste Italiane (PCI) 400,000 euro për të festuar 100 vjetorin e saj dhe ta bëjë atë ditë një ditë kombëtare në të gjithë Italinë.
Shuma u zbulua në fillim të këtij muaji si pjesë e buxhetit kombëtar të propozuar për vitin 2020. Drejtuesja e partisë konservatore, ‘Fratelli d’Italia’ (FdI), Giorgia Meloni, ka pohuar se qeveria gjithashtu dëshiron të bëjë përvjetorin një ditë të njohur kombëtare, raporton Il Giornale.
Meloni kritikoi koalicionin e Lëvizjes Pesë Yje (M5S) dhe Partisë Demokratike (PD), duke thënë: ‘Pas propozimit të fondit të jashtëzakonshëm prej gati gjysmë milioni eurosh për të financuar njëqindvjetorin e PCI, tani PD dhe M5S gjithashtu dëshirojnë ta bëjnë atë përvjetor kombëtar.’
Senatori populist dhe drejtuesi i partisë Lega, Matteo Salvini, gjithashtu kritikoi propozimin, duke thënë: ‘Ata thonë që nuk ka para dhe më pas ata taksojnë plastikën, sheqerin, letrat e cigareve, por del një ndryshim që arrin të ndajë 400,000 euro për të festuar njëqindvjetorin e lindjes së Partisë Komuniste Italiane.Bëni përvjetorin me paratë tuaja, jo me paratë e italianëve,’ shtoi ai.