Pas shpërthimit të tritolit mëngjesin e sotën në makinën e Prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçi ka reaguar edhe Kryetari i Kësaj Gjykate, i cili e ka konsideruar ngjarjen goditje për shkak të detyrës.
Madje, Skënder Haluci ka përmendur edhe sekuestron prej 4 milionë eurove për shkak të çështjeve të pronave në bregdet si motiv për goditjen ndaj prokurorit.
“Jemi në mbështetje të tij dhe për ta mbështetur në aktivitetin e tij si prokuror. Nuk ka asnjë lidhje tjetër vetëm nga detyra. Është ngjarje shumë e shëmtuar prej frikacakësh e burracakësh që veprojnë me maska dhe me tritol. Ne do të përgjigjemi me akte dhe me dënime. Nuk tërhiqemi. Gra e burra në Prokurinë dhe në Gjyqësorin e Vlorës punojnë natë e ditë vetëm për të zbatuar ligjin. Janë disa raste që goditet gjyqësori. Po goditet gjyqësori edhe me baltë jo vetëm me tritol.
Siguroj qytetarët e Vlorës që kanë vu dorë, dhe kanë grabitur prona të qytetarëve të Vlorës nuk kanë për t’i gëzuar. Ka lidhje me ngjarje konkrete dhe jo konkrete. Janë më shumë se 4 milion euro të sekuestruara. Ajo është e vetmja pistë. Kam shumë besim se ngjarja do të zbardhet“- tha Haluci.