Vendosni fjalën kyçe....

A u godit Laert Vasili apo ngjarja u stis nga Regjia e Rilindjes?


Aktori Laert Vasili dhe disa artistë të tjerë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, janë përplasur mbrëmë dhe dëshmi për këtë është edhe një video që po qarkullon online.

Vasili ka publikuar videon në rrjetet sociale dhe e akuzon Robert Budinën se e ka sulmuar fizikisht, por në video ky sulm fizik është i paqartë.  Vasili pretendon se Budina në ato momente i ka futur duart në grykë dhe pas këtij sherri i kujton edhe nderet që i ka bërë në të shkuarën.

Ndërkohë ende nuk kemi një reagim nga Budina, lidhur me sulmin për të cilin pretendon Vasili.

”Aleanca e Rehatit”, këta uzurpatorë të pronës publike, në këto çaste pasi më dhunuan fizikisht me në krye z.Robert Budina i cili më futi thonjtë në grykë dhe duke më sharë me libër shtëpie u përpoqën të bëjnë lajm për të dalë nga anonimati i jashtëligjshmërisë!
Një turp e faqe e zezë që ndodh në mes të kryeqytetit nga njerëz të dhunshëm që duan të kthejnë ‘97 në Art! Dhuna dhe çdo formë tjetër e jasthëligjshme do të përballet me drejtësinē!
P.s Haram ato 10 milionë që njerëzit e mi ju kanë sponsorizuar për filmat tuaj z. Budina! Bukëshkalë!”– shkruan Vasili, i cili publikoi edhe një foto ku shihet në shtratin e një spitali.

Sikurse shihet në videon e mësipërme, situata nuk është shumë e qartë. Dallohet vetëm një debat verbal, lidhur me një poster që artistët e Aleancës për Teatrin e akuzojnë Vasilin se e ka grisur.

Kur një prej aktivistëve i kërkon Vasilit llogari për posterin e grisur, ky i fundit ul kamerën dhe i thotë: “Mos më prek”. Ndërkohë Budina i përgjigjet: “Ik Laert, ik se ke pirë” dhe i kërkon të largohet me një zë të qetë. Por Vasili acarohet dhe mes tyre nis debati me një fjalor të papërshtatshëm nga ana e të dyve, por krejtësisht i paqartë nëse Budina me të vërtetë i ka futur atij duart në fyt saqë ta bëjë kolegun për spital. Kamera tregon vetëm pamje përtokë apo të personave të tretë.

Dy artistët kanë patur bindje të kundërta lidhur me godinën e Teatrit Kombëtar. Ndërkohë që Robert Budina ka qenë një ndër artistët që ka dalë në mbrojtje të godinës në protesta të përditshme apo dhe të përnatshme, Vasili nga ana tjetër ka propaganduar nëpër emisione se godina aktuale e Teatrit është e rrezikshme dhe mbron idenë e një Teatri të Ri. Në pamje filmike, mbi të gjitha kur është aq e paqartë nuk mund të japë përfundime të sakta mbi atë që ka ndodhur vërtet mbrëmë te Teatri. Rilindja ia ka marrë dorën me video e foto që tentojnë të tërheqin vëmendje dhe të çojnë në përfundime shpesh larg të vërtetës. Të jetë dhe ky një rast i tillë? Laert Vasili vetëm pak muaj më parë, pas një viti që kishte përkrahur publikisht idenë e kryeministrit Edi Rama për Teatrin mori një post me rëndësi. Ai u emërua drejtor i Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, pas shkarkimit të Elio Bajramaj./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *