Presidenti francez Emmanuel Macron u ka bërë thirrje sindikatave të transportit për të pezulluar grevat që kërcënojnë të sjellin kaos me udhëtimin gjatë festave të Krishtlindjeve.
Gjatë një vizite në Bregun e Fildishtë, Macron sugjeroi që grevistët duhet të vendosin për “një armëpushim për respektimin e familjeve dhe jetës familjare”.
Prej dy javësh greva për reformat e pensioneve që planifikon Macron, kanë shkaktuar përçarje në të gjithë Francën.
Operatori i transportit me tren, SNCF tha se shërbimet e tyre do ndërpriten gjatë Krishtlindjeve. Të shtunën kanë operuar vetëm gjysma e numrit të zakonshëm të trenave me shpejtësi të lartë dhe gjysma e linjave të metrosë në Paris u mbyllën.
Shumë qytetarë francezë që shkojnë për të kaluar pushimet me familjen dhe miqtë e kanë gjetur veten të bllokuar për shkak të anulimit të udhëtimeve me tren dhe rrugëve të bllokuara. Qindra fluturime janë anuluar gjithashtu.
“Veprimi i grevës është i justifikueshëm dhe i mbrojtur nga kushtetuta, por besoj se ka momente në jetën e një kombi kur është gjithashtu mirë të mbash një armëpushim për të respektuar familjet dhe jetën e familjeve”– tha Macron, citon BBC.
Presidenti francez ka propozuar të zëvendësojë 42 regjimet e veçanta të pensioneve të Francës me një sistem universal të bazuar në pikë.
Por punëtorët thonë se reformat do t’i bënin ata të dilnin në pension më vonë ose do të përballeshin me ulje të pagave.