Vendosni fjalën kyçe....

Publikohet raporti: Themeluesi meksikan i ‘Legjionarëve të Krishtit’ abuzoi 60 të mitur


Sipas një raporti, të paktën 60 fëmijë janë abuzuar nga Marcial Maciel, themeluesi i rendit ultra-konservator katolik ‘Legjionarët e Krishtit’.

Raporti i botuar nga grupi katolik romak, thotë se 33 priftërinj kanë abuzuar me 175 të mitur që kur u themelua ‘Legjionarët e Krishtit’ në 1941.

Në vitin 2006, Maciel u urdhërua të tërhiqej pas vitesh akuzash për abuzim seksual të të miturve. Ai vdiq dy vjet më vonë, në moshën 87 vjeç, pa u përballur me akuzat ndaj tij.

“Ndoshta ka më shumë raste abuzimesh sesa ato në raport dhe statistikat do të duhet të azhurnohen rregullisht”– thuhet në raportin e cituar nga BBC.

Po ashtu thuhet se nga kisha kishte filluar një proces “dëmshpërblimit dhe pajtimi” me 45 prej viktimave.

Çfarë ndodhi me priftërinjtë e akuzuar?

Sipas raportit, gjashtë nga 33 priftërinjtë e akuzuar vdiqën pa u gjykuar, një u dënua, dhe një aktualisht është në pritje të gjykimit  dhe “tashmë i është hequr statusi klerik”.

18 të tjerë janë ende pjesë e organizatës, por ata janë larguar nga detyrat ku ndërveprojnë me publikun ose me fëmijët.

Në raport thuhet gjithashtu se 14 prej 33 priftërinjve ishin edhe vetë viktima çka nxjerr në pah “zinxhirët e abuzimit”, ku “një viktimë e një Legjionari, me kalimin e kohës, bëhet një agresor”.

Disa burra e akuzuan publikisht Maciel para vdekjes së tij për sulme seksuale ndaj tyre, ndërsa ata ishin në një seminar nga vitet 1940 deri në vitet 1960.

Në 2002-in Maciel tha: “Unë kurrë nuk u angazhova në këtë lloj sjelljeje të neveritshme që këta njerëz më akuzojnë”.

Në vitin 2006, Papa Benedikti XVI e urdhëroi atë të tërhiqej si kryetar i Legjionarëve të Krishtit për shkak të akuzave, që ishin injoruar nga paraardhësi i tij Papa Gjon Pali II.

Pas vdekjes së Maciel në 2008, u zbulua se ai pati edhe disa fëmijë. Të martën e kaluar, Papa Françesku deklaroi se nuk do të zbatohej më rregulli i fshehtësisë papnore për rastet e abuzimit seksual të të miturve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *