Prej 3 muajsh pa paga dhe prej 9 muajsh pa iu derdhur siguracionet, punëtorët e Rafinerisë së Ballshit kanë dalë sërish sot në protestë përpara prefekturës.
Më shumë se 600 naftëtarë kërkojnë sqarime për mos derdhjen e pagave ndërsa paralajmërojnë se do e përshkallëzojnë protestën e tyre duke ardhur në Tiranë.
Në një prononcim për ‘FaxNews’, një nga protestuesit tha se nuk futet dot as në skemën e ndihmës ekonomike sepse rezulton i punësuar por ndërkohë nuk merr pagë.
“Siç e dini dhe ju kjo është një situatë e përsëritur, nuk na janë paguar sigurimet shoqërore prej 9 muajsh, dhe pagat nuk na kanë kaluar për tre muaj. Zoti prefekt na premtoi herën e kaluar se do ta zgjidhte këtë situatë, ndërsa sot nuk është fare këtu.
Ka njerëz të sëmurë që nuk shkojnë dot të kurohen dhe të vizitohen, unë vetë figuroj i punësuar dhe nuk hyj dot as në skemën e ndihmës ekonomike. Pse nuk janë derdhur 9 muaj sigurimet shoqërore, dikush duhet të japë llogari!”– tha një nga punonjësit e rafinerisë.
Protestuesit i kujtojnë kryeministrit Edi Rama videokonferencën që kanë kryer me të dhe ish-ministrin e Energjetikës Damian Gjiknuri dhe ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, pasi ende nuk kanë marrë paratë e 14 rrogave të prapambetura që prej 2 vitesh.
“Kemi bërë një video konferencë në mos gaboj para 2 vjetësh me kryeministrin, edhe me ministrin në atë kohë. Thanë iu zgjidhën hallet, nuk kanë nevojë më të vijnë në Tiranë këta. Për të mos hyrë në detaje më të thella kur vetë kryeministri erdhi për të prezantuar një kompani para kësaj dhe ka thënë që rrogat e prapambetura do paguhen të gjitha. Ato janë 14 paga të prapambetura. Ato nuk i diskutojmë se ne kemi një vendim gjykate të fituar për ato paga. Na vjen turp që jetojmë në këtë vend, jo në këtë vend se vendi është shumë i bukur por qeverisemi nga qelbësira.”– tha një tjetër punonjës.
Punonjësit e rafinerisë së Ballshit ankohen se asnjë përfaqësues i kompanisë nuk shkon që të bisedojë me ta apo t’u shkëpusë librezën e punës që të mos figurojnë të punësuar.