Teatri Kombëtar ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur në sheshin e Teatrit Kombëtar mes aktorit Laert Vasili dhe aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, artistë e qytetarë.
Në reagimin zyrtar të Teatrit Kombëtar thuhet se ‘dënohet akti i pa precedentë i dhunimit të aktorit Laert Vasili prej zaptuesve të godinës së Teatrit Kombëtar’.
Më tej theksohet gjithashtu se Teatri Kombëtar distancohet nga përbaltja që i bëhet skenës e artit shqiptar.
‘DEKLARATË ZYRTARE E TEATRIT KOMBËTAR
TK dënon aktin e pa precedent të dhunimit të aktorit Laert Vasili.
Teatri Kombëtar shpreh indinjatën e thellë dhe dënon dhunën e kryer nga zaptuesit e godinës së TK ndaj aktorit dhe kolegut tonë Laert Vasili. Aktet e dhunës nuk përfaqësojnë artistët dhe as janë pjesë e vlerave morale dhe demokratike, të cilat me aq mund i kemi fituar! Duke i uruar Laertit shërim të shpejtë dhe rikthim shëndoshë e mirë në skenë, TK distancohet nga çdo përbaltje që i bëhet skenës dhe artit shqiptar!
Aktet e dhunës na detyruan të anullojmë një shfaqje të kalendarit të Teatrit Kombëtar, por nuk do na ndalojnë të përmbushim qëllimin tonë final: Edukimin përmes Artit!’