Një 29-vjeçar shqiptar është ekstraduar nga Kroacia drejt vendit tonë. Sipas policisë, shtetasi me inicialet P. P., ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar nën akuzën për kryerjen e veprave penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Vjedhja me dhunë”.
Në nëntor të vitit 2018, gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur për të masën e sigurisë “Arrest në burg”.
29-vjeçari mendohet se u jepte ndihmë shtetasve të huaj për të kaluar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në Malin e Zi, të cilët kishin si destinacion vendet e Evropës Perëndimore.
DETAJET E POLICISË
Vijon bashkëpunimi me homologët, me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe dërgimin e tyre para drejtësisë.
Një tjetër i kërkuar bie në pranga, falë bashkëpunimit të Interpolit me homologët.
Nga specialistët e Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Kroacia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar P. P., 29 vjeç, banues në Shkodër.
Shtetasi P. P. ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, për kryerjen e veprave penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Vjedhja me dhunë”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në nëntor të vitit 2018, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Ky person u jepte ndihmë shtetasve të huaj për të kaluar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në Malin e Zi, duke pasur si destinacion vendet e Evropës Perëndimore.
Shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër, në shtator të vitit 2018, kanë konstatuar 6 shtetas pakistanezë, të cilët synonin të kalonin në Malin e Zi, të ndihmuar nga shtetasi P. P., i cili pasi i kishte afruar në kufi me Malin e Zi u kishte marrë nëpërmjet kanosjes 720 euro, 2 telefona celularë, si dhe 6 çanta ku mbanin dokumentet e tyre.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë me Interpol Tirana dhe Policinë kroate u bë e mundur kapja e këtij shtetasi me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.