Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka paralajmëruar se vendi i tij nuk mund të trajtojë një “valë të re refugjatësh” nga Siria.
Mes rritjes së bombardimeve, dhjetëra mijëra njerëz kanë ikur në drejtim të kufirit turk nga provinca e Idlibit, e mbajtur nga rebelët në Sirinë veri-perëndimore.
Turqia tashmë pret rreth 3.7 milionë refugjatë sirianë – popullsia më e madhe e refugjatëve në botë.
Siç shkruan BBC, Erdogan paralajmëroi se një fluks i ri do të “ndjehet nga të gjitha vendet europiane”.
Me deri në tre milion njerëz që jetojnë ende në provincën e Idlibit, ky është rajoni i fundit i madh në Siri që mbahet nga luftëtarët rebelë dhe xhihadistët që kundërshtojnë Presidentin Bashar al-Asad.
Çfarë tha Erdogan?
Duke folur në një ceremoni çmimesh në Stamboll të dielën, Erdogan tha se më shumë se 80,000 njerëz nga Idlibi kishin ikur në zonat pranë kufirit turk në mes të bombardimeve të shtuara nga forcat siriane dhe ruse.
“Nëse dhuna ndaj njerëzve të Idlibit nuk ndalet, ky numër do të rritet edhe më shumë. Në atë rast, Turqia nuk do të bartë vetë një ngarkesë të tillë migruese”– paralajmëroi ai.
“Efektet negative të këtij presioni mbi ne do të jenë një çështje e ndjerë nga të gjitha vendet evropiane, veçanërisht nga Greqia”- shtoi Erdogan.
Presidenti turk paralajmëroi se nëse dhuna nuk do të marrë fund, mund të ndodhë një përsëritje e krizës së migrantëve e vitit 2015 – kur më shumë se një milion njerëz ikën në Evropë.
Ai tha se një delegacion turk ishte caktuar të shkonte në Moskë të hënën për të diskutuar për situatën.
Një armëpushim i negociuar nga Rusia dhe Turqia ndaloi një sulm të qeverisë siriane ndaj Idlibit në gusht. Por përplasjet dhe bombardimet janë ende një dukuri pothuajse e përditshme.