Vendosni fjalën kyçe....

Kundër reformës së pensioneve, përleshje mes policisë dhe grevistëve në Francë


Punëtorët francezë të hekurudhave janë përleshur me policinë sot në Paris gjatë një proteste të papritur kundër ndryshimeve në sistemin pensional, pavarësisht thirrjes së presidentit Emmanuel Macron për anulimin e grevës gjatë Krishtlindjeve.

Qindra sindikalistë dhe grevistë u mblodhën të hënën pranë një stacioni të madh të trenave, i cili përdoret nga shumë udhëtarë që shkojnë drejt jugut ose qendrave të skijimit në Alpe.

Disa grevistë mbajtën fjalime për t’i dënuar ndryshimet e propozuara nga qeveria në sistemin pensional dhe u zotuan se do ta vazhdojnë grevën edhe gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Protestat e këtyre punëtorëve filluan para 19 ditëve, duke shkaktuar tollovi dhe pengesa të mëdha në sistemin e transportit publik dhe shërbimet e tij.

Rreth gjysma e udhëtimeve për datat 23 dhe 24 dhjetor janë anuluar për shkak të grevës, ndërsa shumë udhëtarë po kërkojnë zgjidhje të tjera për të shkuar në destinacionet e tyre.

Disa udhëtarë që po përpiqeshin të shkonin në aeroportet afër Parisit u ankuan se patën vështirësi për të gjetur taksi dhe se disa prej tyre i kishin ngritur çmimet.

Qeveria është duke u përgatitur për një rund të ri të bisedimeve me grevistët, ndërsa protesta e radhës është caktuar për 9 janar të vitit të ardhshëm, shkruan “The Guardian.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *