Vendosni fjalën kyçe....

BE kundërshton dënimin me vdekje për të akuzuarit për vrasjen e Kashoggi


Bashkimi Evropian kundërshton dënimin me vdekje, të shpallur nga një gjykatë saudite, ndaj të akuzuarve për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Prokurori publik i Arabisë Saudite tha më 23 dhjetor, se pesë persona u dënuan me vdekje për vrasjen e Khashoggit.

Vrasja e tij, e ndodhur në fund të vitit 2018 në konsullatën saudite në Stamboll, ka ngjallur reagime ndërkombëtare.

“Bashkimi Evropian është pa mëdyshje kundër dënimit me vdekje gjithnjë dhe pa përjashtim”, tha zëdhënësi për politikën e Jashtme të BE-së, Peter Stano, përmes një deklarate.

Dënimi i njerëzve me vdekje është një “dënim mizor dhe çnjerëzor, i cili nuk arrin të veprojë si një parandalues dhe përfaqëson një mohim të papranueshëm të dinjitetit dhe integritetit njerëzor”, thuhet në deklaratë.

Shërbimet e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin se Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, sundimtari de fakto i mbretërisë, urdhëroi vrasjen e gazetarit Khashoggi.

Riadi fajësoi për incidentin, zyrtarët e inteligjencës saudite.

BE-ja theksoi gjithashtu nevojën e ndjekjes penale për të gjithë ata që ishin të përfshirë në vrasje.

“Kjo duhet të bazohet në parimet e transparencës, respektimit të procedurave ligjore dhe procesit të duhur”, tha zëdhënësi Stano.

Agnes Callamard, një raportuese e posaçme e Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet jashtëgjyqësore, e quajti aktgjykimin saudit si një ” “farsë” i cili nuk arriti të identifikojë “ata që nxitën dhe lejuan vrasjen, siç është Princi i Kurorës”.

Khashoggi u pa për herë të fundit më 2 tetor të vitit 2018 duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, ku ai kishte shkruar për të marrë dokumente personale. Trupi i tij u raportua të jetë copëtuar brenda ndërtesës. Eshtrat e tij nuk janë gjetur.

Ai ishte banor i Shteteve të Bashkuara dhe kolumnist i gazetës amerikane Washington Post.

Khashoggi ishte kritik i Princit të Kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *