Vendosni fjalën kyçe....

Minishengeni!


Blog-Autor: Hysni Gurra

Po i ikim turpit që shkel mbi shpirtrat e kosovarëve që luftuan për liri, ta lëmë për një moment mënjanë, të bëjmë një llogari tregtare.

Koncepte të bashkimit të tregjeve dhe doganave janë koncepte shumë pozitive. BE-ja është shembull shumë i mrekullueshëm.

Por janë koncepte pozitive të cilat disa shtete i favorizojnë e disa i shkatërrojnë fare. Po gjykoj vetëm në një aspekt që e njoh diçka.

Shqipëria është një vend jo prodhues, thuajse nuk prodhon asgjë. E vetmja gjë që prodhon janë fruta-perimet edhe pak produkte blegtorale.

Serbia në raport me Shqipërinë është vend prodhues më i konsoliduar. Serbia ka institute kërkimore shkencore tepër serioze sa i përket prodhimit të farërave dhe fidaneve. Plehrave kimike dhe pesticideve. Laboratorë të akredituar…etj. Prodhon vetë, por duke qenë edhe serioz nga ana shkencore është ndër të vetmet vende në rajon që ka përfaqësi ekskluzive nga kompanitë më të mira europiane e më gjerë në këtë sektor.

Ky sektor qarkullon miliarda euro kapital.

Aq sa perime dhe fruta mund të depërtojnë nga Shqipëria në Serbi, Serbia i kompenson në vlerë shkëmbim monetar vetëm me disa kamionë me farëra apo plehra kimike.

Në sektorin e blegtorisë, sidomos prodhimit të mishit, nuk e konkurojmë dot.

Dalim në aspektin e mentalitetit të konsumatorit.

Në Shqipëri, për produktet serbe ka një perceptim popullor shumë pozitiv. Njerëzit i blejnë si produkte cilësore produktet serbe. Këtë e kam me të parë e jo me të thënë. Në Serbi ky perceptim për produktet shqiptare është shumë i ulët. Pra shkëmbimi tregtar në këtë drejtim do të jetë shumë i disfavorshëm për Shqipërinë. Heqja e doganave do t’i lehtësojë rrugën Serbisë që përveçse të mbytë tregun shqiptarë, të dalë në Adriatik. Mirëpo dalja e Serbisë në Adriatik lirshëm është një disfavor tjetër i madh për produket bujqësore shqiptare. Pse?

Sepse Serbia do të importojë lehtësisht prodhime nga Greqia, Italia, Turqia, prodhime më cilësore, më të kontrolluara, dhe sasi shumë të mëdha prodhimi që kanë në dispozicion këto shtete.

Mund të mendojmë se do përfitojmë nga turizmi!

Bregdeti shqiptar ka 80% pushues të huaj nga Kosova! Hipotetikisht, pushues serbë e kosovarë bashkë në Durrës(!!!), Durrësi fundoset fare, jo nga tërmeti! Është e pamundur momentalisht të përfitohet nga ky sektor sa kohë plagët janë të hapura akoma.

Industri Shqipëria po nuk ka.

Si shembull për këtë “minishengenin” kemi marrëveshjen CEFTA. Shqipëria është ndër vendet që ka përfituar shumë pak ose aspak nga kjo marrëveshje tregtare. Të gjithë duhet të kujtojnë periudhat kur Mali i Zi, Maqedonia e Veriut bllokonin me ditë të tëra kamionët shqiptarë në dogana me produkte bujqësore. Arsyeja, nuk kemi laboratorë të akredituar që të kenë vlefshmëri çertifikatat shoqëruese të produkteve. (Padiskutim edhe luftë tregtare, por sebepi i tyre qëndron).

Kjo është një analizë të cilën ekonomistët me përvojë do ta analizojnë zë për zë në ditët në vijim, por edhe kaq e thjeshtëzuar mjafton për të kuptuar diçka.

Nëse e keni parë, Vuçiç jo më kot u ka dalë garant serbëve se, ne do të fitojmë shumë nga kjo marrëveshje!

Po Edi Rama çfarë llogarish ka bërë?


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *