Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS-së-, kryeministri Edi Rama tha se partia e tij ka nisur përgatitjet për kryetarët e degëve në të gjithë vendin.
“Jemi në një proces organizmi ripërtëritje dhe përgatitje për zgjedhjet e ardhshme. Pasi kemi zgjedhur kryetarët kemi përfshirë edhe gratë në procesin e përfshirjes, duke vendosur të fillojmë të zbatojmë një normë të re organizmi ku drejtimi i besohet një burri ose një djali, një gruaje ose një vajze. Tashmë ka ardhur koha për kryetarët e partisë, për këtë propozimet janë trajtuar në kryesi dhe kanë marr miratimin për të vijuar më pas me garën.
Kudo procesi ecën sipas normave të paracaktuara diku më shpejt diku më ngadalë, diku më mirë diku më dobët, në përgjithësi ky proces na ka dhënë atë që kemi pritur na ka dhënë një energji të re ripërtëritje të domosdoshme, edhe pse zgjedhjet duken larg ato janë nesër qershori 2021 është shumë afër politikisht”– tha Rama.
Kryeministri foli dhe për situatën në Bashkinë e Shkodrës ndërsa nuk nguroi të sulmonte presidentin e vendit Ilir Meta.
“Me presidentin nuk kemi komunikim, situata post zgjedhore karakterizohet nga një inerci që lidhet me histori dekrete, çdekrete kemi për detyrë të garantojmë vazhdimësinë normale të qeverisjes, sa i përket Shkodrës nuk ka një vendim është në situatën më të rëndë, ka një kryetare që është e nuk është kryetare, po është një çështje që nuk është në dorën tonë, presim të marri një zgjidhje.” –theksoi Rama.
Rama edhe njëherë tjetër shprehu gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezë me opozitën, por shtoi se nuk mund të presë dot deri kur opozita të zgjohet nga gjumi.
“Gjërat funksionojnë, mund të funksionin edhe më mirë. Ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, të diskutojmë, të dëgjojmë, të reflektojmë kur ka sugjerime pozitive, por ne jemi të dënuar të udhëheqim. Nuk jemi të presim të tjerët të zgjohen nga gjumi.”- tha Rama.