Dy fëmijë të vegjël me origjinë shqiptare janë mbytur të martën në lumë në Francë, ndërsa luanin në praninë e nënës së tyre.
Tragjedia ka ndodhur në lumin e Le Moingt në Montbrison. Mediat franceze shkruajnë se nëna 35-vjeçare nga Kosova kishte ngrënë në një restorant me fëmijët dhe pasdite i kishte çuar të luanin pranë lumit, që kalon pranë një zone për pazar.
Fillimisht, më i vogli i fëmijëve ra në ujë. Pas kësaj, motra e djalit u përpoq ta kapte atë mirëpo edhe ajo u rrëmbye nga rrjedha e ujit, pasi lumi ishte fryrë për shkak të reshjeve të shumta të shiut.
Dy fëmijët, motra dhe vëllai kanë lindur respektivisht në vitin 2014 dhe 2017.
Nëna arriti t’i kapte ata, por nuk arriti dot t’i shpëtonte. Pastaj ajo kërkoi ndihmë nga shërbimet e urgjencës. Por kur ata arritën atje, nuk mundën dot të bënin asgjë.
Nëna, në gjendje shoku është shtruar në spital ndërsa Prokuroria e Saint-Etienne ka hapur një hetim dhe ka urdhëruar autopsinë e të dy trupave.