Vendosni fjalën kyçe....

Fundoset anija me emigrantë në Turqi, shtatë të vdekur


Një anije që transportonte migrantë nga Pakistani, Bangladeshi dhe Afganistani është përmysur në Liqenin Van në Turqinë lindore, duke lënë të vdekur shtatë persona.

Liqeni ndodhet afër kufirit me Iranin, nga ku migrantët shpesh kalojnë në Turqi për të vijuar më pas udhëtimin drejt Evropës.

BBC shkruan se gjashtëdhjetë e katër njerëz u shpëtuan dhe u dërguan në spitalet dhe strehëzat aty pranë.

Incidenti ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit sipas orës lokale. Pesë persona u gjetën të vdekur ndërsa dy të tjerë humbën jetën në spital, pasi ishin dërguar atje nga ekipet e shpëtimit.

Turqia ka shërbyer vitet e fundit si një pikë kryesore e tranzitit për migrantët që përpiqen të arrijnë në Evropë, shumë prej tyre duke ikur nga dhuna dhe persekutimi në vendet e tyre të lindjes. Shumë njerëz mbështeten te kontrabandistët e njerëzve në kërkim të ëndrrës europiane dhe përballen me rrugë të rrezikshme tokësore dhe detare, shpesh herë duke humbur jetën.

Forcat e sigurisë së Turqisë kanë mbajtur rreth 441.532 migrantë pa dokumente këtë vit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu.

Në vitin 2016, Turqia arriti një marrëveshje financiare me Bashkimin Evropian për të frenuar fluksin e migrantëve dhe refugjatëve në Evropë. Muajin e kaluar, media gjermane citoi një raport konfidencial të BE-së që thoshte se numri i kalimeve nga Turqia u rrit ndjeshëm këtë vit, me shumicën e njerëzve që vinin nga Afganistani.

Por këtë muaj Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi se Turqia nuk mund të merrte përsipër një “valë të re refugjatësh” nga Siria në mes të bombardimeve në rritje në Idlib, duke thënë se një fluks i ri do të “ndjehej nga të gjitha vendet evropiane”.

Turqia tashmë pret rreth 3.7 milion refugjatë sirianë, popullsia më e madhe e refugjatëve në botë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *