Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë ditën e sotme në fshatrat Tarinë, Mallkuç, Bubq ku ka parë nga afër banorët e prekur nga tërmeti.
“Gjendja e sotme e zonave të dëmtuara nga tërmeti, një muaj më pas është dëshmi e dështimit të qeverisë në menaxhimin e situatës. Qytetarë, fëmijë e të moshuar që kalojnë netët e ftohta jashtë, pa ngrohje, pa ujë e me ushqime të pakta të ofruara nga vullnetarë. Kushtet e mjerueshme kanë shkaktuar probleme shendetësore tek qytetarët duke e rënduar situatën”-shkruan Basha.
Më tej Basha, shkruan se banorët nuk kanë marrë asnjë deklarim nëse banesat janë të banueshme apo jo duke thënë se në shumë raste nuk kanë shkuar t’i vlerësojnë dëmet.
“Familjarët nuk dinë nëse banesat e tyre jane apo jo të banueshme. Në shumicën e rasteve askush nuk ka shkuar të shohë e jo më vlerësojë dëmet, në shumë raste vlerësimi është kontradiktor, një herë banesa është vlerësuar e pabanueshme e njëherë e banueshme.
Kryefamiljarë, që marrin përsipër rrezikun duke futur familjarët në shtëpi të dëmtuara pasi nuk kanë mundësi për strehim, jetojnë me ankthin dhe frikën e lëkundjes së radhës.
Ketë situate e pashë edhe në Tarinë, Mallkuç, Bubq, ndërsa banorët bashkëjetojnë me gërmadhat e mbetura nga tërmeti dhe frikën e pasigurinë për të nesërmen. Ata që janë në çadra të papërshtatshmë për kohën e ftohtë e me reshje i ndjejnë të ftohtin dhe lagështirën në palcë”-shkruan kreu i PD.
Basha e cilëson qeverinë si të dështuar dhe se nuk kërkon të dëgjojë qytetarët.
“Qeveria ka dështuar dhe korrupsioni i ka lidhur sytë dhe veshët që të shohë e të dëgjojë qytetarët. Nëse 150 milionë dollarët që shkojnë në xhepat e oligarkëve, do tu viheshin në dispozicion njerëzve në nevojë, do të ishin blerë kontenierë të përshtatshëm për strehimin e banorëve, dhe do të kishte nisur procesi i rindërtimit dhe riparimit të shtëpive të dëmtuara.
Paratë tu jepeshin në dorë qytetarëve ne zonat rurale për të nisur rindërtimin, duke shmangur tenderat korruptivë.
Propaganda e qeverisë nuk e mbush dot barkun e fëmijëve, nuk i ngroh dot në këtë dimër të ftohtë, nuk e heq dot rrezikun e banorëve që po jetojnë në shtëpi të dëmtuara e të rrezikshme, në pamundësi të një strehe të sigurt
Situata po përkeqësohet ditë për ditë. Koha nuk pret. Duhet menjëherë dedikimi i fondeve për strehim për banorët. Kjo është detyrë e shtetit, është përgjegjësi e qeverisë. Nuk mund të sakrifikohen qytetarët, jeta dhe shëndeti i tyre për milionat e oligarkëve dhe aferat e radhës korruptive”-përfundon Basha.