Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa: Buxheti i Bashkisë Tiranë do shkojë për rroga dhe shpenzime luksi dhe jo investime


Zëdhënësja e Partisë Demokratike nga selia blu, deklaroi se buxheti i vitit 2020 i Bashkisë së Tiranës do shkojë në shumicën e masës për rroga punonjësish dhe shpenzime luksi dhe jo për investime.

Viti 2020 nuk do të jetë për qytetarët e Tiranës një vit me shërbime më të mira, që rrisin cilësinë e jetës në kryeqytet. Përveç propagandës që e ka me shumicë, Erion  Veliaj do ta shpenzojë për paga dhe luks pjesën më të madhe të taksave të rritura për banorët e Tiranës.

Buxheti i miratuar një ditë më parë parashikon që 130 milionë euro të shkojnë për rrogat e bashkisë së Tiranës dhe për shpenzime të tjera luksi, nga të cilat qytetarët nuk përfitojnë asgjë”-deklaroi Zhupa.

Sipas Zhupës, kryetari i Bashkisë, Veliaj e ka fryrë administratën duke e çuar në 7 mijë numrin e punonjësve.

Erion Veliaj, personi që u emërua me votat e administratës së vet, e ka çuar në 7 mijë numrin e atyre që do të paguajë me taksat e banorëve të Tiranës.

Kjo fryrje që kalon çdo standard europian i shërben vetëm Erion Veliajt, pasi shërbimet për qytetarët nuk do të përmirësohen.

Uji i pijshëm do të vazhdojë të mungojë ose do të vijë i ndotur në rubinetat tona, shkollat dhe kopshtet do te vazhdojnë të jenë të mbipopulluara, rrugët nëpër lagjet e Tiranës do të vazhdojnë të jenë gropa – gropa, sepse Erion Veliaj nuk ka prioritet zhvillimin e qytetit, por betonizimin e tij.

Në vitin e pestë të drejtimit të Tiranës Erion Veliaj vazhdon të mburret me projektet madhore të Lulzim Bashës, Bulevardin e Ri, Pazarin e Ri, lumin e Tiranës, ndërsa ai do të mbahet mend si kryebashkiaku që ka thyer edhe rekordin e Edi Ramës për lejet e ndërtimit, betonizimin e kryeqytetit dhe zhvatjen e qytetarëve”-tha Zhupa.

Më tej Zhupa, ngriti shqetësimin se për vitin 2020 qytetarët do i rëndojë në buxhetin e vet zgjerimi i mëtejshëm i parkingjeve me pagesë.

Për vitin 2020 ka një lajm te keq për qytetarët e Tiranës. Zonat ku Erion Veliaj do të vendosë parkim me pagesë, do të zgjerohen. Kjo do të thotë që qytetarëve do t’u merren edhe më shumë para nga xhepat për të mbushur xhepin e Veliajt.

Buxheti 2020 i Bashkisë së Tiranës është në të njëjtën frymë me atë të buxhetit të qeverisë së Edi Ramës. Ai nuk ka lidhje me interesat e qytetarëve, por është një derë e hapur për aferat korruptive dhe pasurimin e paligjshëm të një grushti klientësh të bashkisë dhe qeverisë”-përfundoi zëdhënësja e PD-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *