Ahmet Doda do lerë qelinë pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila ka vendosur masën lehtësuese “Detyrim paraqitje” për drejtorin e Kavalishencës.
Ai ishte një ndër 9 personat e arrestuar për shembjen e ndërtesave të Durrës. Shkak për arrestimin e tij u bë vdekja e kryekomisar Bajram Hajdarmetaj. Pavarësisht se Kavalishenca ishte shpallur objekt i pabanueshëm nga termeti i parë, ai u lejua të qëndronte aty, ç’ka rezultoi fatale, pasi objekti u shemb më 26 Nëntor.
AbcNews ka siguruar të plotë vendimin e dhënë për lirimin e Dodës, ku dakordësinë e ka shprehur i njëjti prokuror që para 10 ditësh kishte kërkuar arrest me burg.
Gjykata, pasi çeli seancën gjyqësore kreu verifikimin e prezencës së palëve dhe shqyrtoi aktet e fashikullit, provat dhe pretendimet e palëve, të cilët kërkuan avokatët e pesonit nën hetim. Ata kërkuan zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga “arrest në burg” në atë të “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”.
Prokurori u shpreh pro pranimit të kërkesës, ndërsa shtoi se duhet të caktohet edhe masa e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, shkruan abcnews.al.
Gjykata u tërhoq në Dhomën e Këshillimit dhe si u kthye, në bazë dhe për zbatim të nenit 112 dhe 234, 242 dhe 260/2 të Kodit të Procedurës Penale,
VENDOSI
- Pranimin e kërkesës.
- Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj personit nën hetim Ahmet Doda, me vendimin penal Nr. 393/1, datë 17.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, duke i caktuar edhe masën ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.
- Urdhërohet personi nën hetim Ahmet Doda të paraqitet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, të Hënën e parë të çdo muaji, ora 10:00.
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Ahmet Doda nga IEVP Durrës, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit Durrës.