Disa deputetë janë përleshur fizikisht në parlamentin e Serbisë, kur dy prej tyre hynë në sallën e seancës plenare duke mbajtur pankarta në duar mbi të cilat shkruhej: “Milo, hajdut, nuk t’i japim gjërat e shenjta” dhe “Serbi, pse po hesht?”.
Sipas Radio Europa e Lirë, deputetët që vinin me pankarta janë nga partia opozitare Dveri, Boshko Obradoviç dhe Ivan Kostiç.
REL shkruan se veprimi i deputetëve opozitarë serbë kishte të bënte me faktin se Serbia nuk është përgjigjur ende ndaj miratimit të një ligji për komunitetet fetare në Malin e Zi, i cili ka ngritur shqetësime se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë në pronat që administron. Në pankarta ata i drejtohen presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Deputetët e parlamentit serb kërkuan një seancë të jashtëzakonshme për situatën në Mal të Zi. Më pas pati një konfrontim fizik me deputetët e shumicës në pushtet. Obradoviç u ndal para kryesuesit të seancës dhe pyeti deputetët “nëse ata mbështesin rrëmbimin e kishave dhe manastireve serbe dhe arrestimin e deputetëve në Mal të Zi”. Pastaj atij iu afrua kreu i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe në pushtet, Aleksandar Martinoviç, dhe deputetë tjerë të shumicës parlamentare, duke u shkaktuar më pas edhe përleshja fizike.
Kryetarja e Kuvendit, Maja Gojkoviç, u kërkoi deputetëve të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të mos përgjigjen ndaj asaj që ajo e quajti provokim nga ana e Boshko Obradoviç.
Seanca më pas u shty por rifilloi shumë shpejt.