Shumica prej nesh ka dëgjuar nga gjyshet se uji i detit do të na ndihmojë në shërimin e një plage apo çarjeje. Por a kishin gjyshet tona të drejtë?
Në një anë kjo ka kuptim sepse deti është i kripur dhe uji me kripë është një mënyrë e mirë për të pastruar plagët, apo jo? Por po aq herë mund të kemi hasur një histori tmerri për dikë që shkoi duke notuar dhe përfundoi me një infeksion të keq.
Eksperti i sëmundjeve infektive Bart Currie nga Universiteti Flinders në Spitalin Royal Darwin thotë se fatkeqësisht nuk ka një përgjigje të thjeshtë për këtë.
Ndërsa është e vërtetë që uji me kripë është përdorur prej kohësh në menaxhimin e plagëve – uji i kripur në oqean nuk është steril.
Ka disa gjëra që duhet të merrni parasysh përpara se të vendosni të shkoni në det me një çarje ose plagë të hapur:
- -Gjendja e sistemit tuaj imunitar;
- -Gjendja e plagës tuaj;
- -Gjendja e detit ku po noton;
- -Sidomos nëse jeni në tropik.
Disa gjendje shëndetësore si diabeti ose sëmundja e mëlçisë, ose trajtime të tilla si kimioterapia për kancerin, mund të dobësojnë sistemin tuaj imunitar. Kjo mund ta bëjë më të lehtë që të merrni një infeksion nga uji i detit që normalisht nuk do të shkaktonte një problem tek një person i shëndetshëm, thotë profesori Currie për ABC.
Duke pasur parasysh që oqeani nuk është një mjedis steril, nëse sistemi juaj imunitar nuk po funksionon siç duhet, në rast plagësh të hapura duhet ta shmangni.
Edhe ata me sistem të fortë imuniteti duhet t’i pastrojnë siç duhet dhe të mbulojnë çdo plagë të ekspozuar ndaj ujit të detit.
Është e rëndësishme të mbani mend se uji i detit nuk është kudo i njëjtë.
“Lloji i vendit ku noton një person është shumë i rëndësishëm”– thotë profesori Currie. “Ka disa pjesë të oqeanit ku ka shumë baktere të pranishme, ndonjëherë edhe për shkak të aktivitetit njerëzor.”
Uji në grykëderdhje dhe pranë shkëmbinjve ose koraleve është veçanërisht i rrezikshëm. Ujërat tropikal mund të jenë po ashtu shtëpi e disa baktereve vërtet të këqija pasi uji i ngrohtë inkurajon rritjen e baktereve, thotë profesor Currie. Ky është vetëm një informacion i përgjithshëm. Për këshilla të hollësishme personale, duhet patjetër të merrni këshilla nga një mjek të kualifikuar i cili e di historinë tuaj mjekësore.