Vendosni fjalën kyçe....

Kreditimi i ekonomisë, frenohet rritja për muajin nëntor


 

Kreditimi i ekonomisë frenoi rritjen gjatë muajit nëntor, për herë të parë pas gjashtë muajve. Megjithëse qëndroi në vlera të përafërta me tetorin, portofoli ngelet bindshëm në rritje krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të nëntorit, portofoli i kredisë kishte vlerën e 568 miliardë lekëve ose rreth 4.6 miliardë eurove. Me bazë vjetore, rritja e kredisë ishte në rreth 6.2%, ndërsa duke përjashtuar efektin e kredive të fshira dhe të forcimit të lekut në kursin e këmbimit valutor, rritja ishte në kufijtë e 8%, raporton Scan-tv.

Në frenimin mujor të kredisë mund të ketë pasur një efekt të kufizuar nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit. Me gjendjen e krijuar, është e arsyeshme të mendohet se disbursimi i kredive në proces mund të ketë pësuar minimalisht një ngadalësim. Megjithatë, efektet e para të tërmetit në ecurinë e huadhënies do të jenë më të qarta pasi të dalin statistikat e muajit dhjetor.

Edhe për nëntorin performancën më të mirë e shfaqi segmenti i individëve, që u rrit përsëri dhe iu afrua vlerës së 197 miliardë lekëve. Portofoli i kredisë për individë është në rritje vjetore me 7.1%. Ky segment vazhdon të jetë i preferuar nga sistemi bankar, që ka si objektiv afatgjatë një ulje të përqendrimit të kreditimit në segmentin e biznesit dhe një shpërndarje më të mirë të rrezikut kreditor. Normat e ulëta historike të interesit vazhdojnë të mbështesin një rritje të huamarrjes në këtë sektor.

Nga ana tjetër, huaja për biznesin pësoi një rënie të lehtë gjatë nëntorit, por krahasuar me një vit më parë tendenca ngelet dukshëm pozitive. Rritja vjetore e portofolit ishte në nivelin 4.4%. Kredia për bizneset private ngelet shtylla kryesore e kreditimit të ekonomisë, me rreth 59% të portofolit total të huasë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *