Vendosni fjalën kyçe....

Lidhje me grushtin e shtetit, Gjykata turke dënon 6 gazetarë


Një gjykatë turke vendosi dënimin me burg gjashtë gazetarëve dhe një punonjëse të financave në mediumin opozitar Sozcu, nën akuzat se kanë ndihmuar në orkestrimin e grusht-shtetit të dështuar në vitin 2016.

Gazeta Sozcu, e përshkroi aktgjykimin si një shenjë të zezë në historinë e shtypit të lirë. Të tetë të pandehurit e pranishëm në seancën gjyqësore kërkuan të shfajësohen nga akuzat.

Ankaraja ka shënjestruar në vazhdimësi, përkrahësit e dyshuar të Fethullah Gulenit, një klerik mysliman me bazë në SHBA, që nga përpjekja për atë që autoritetet turke e quajnë tentim grusht-shteti, në korrik 2016, në të cilën u vranë rreth 250 njerëz.

Kolumnistët e shquar, Emin Colasan dhe Necati Dogru, si dhe redaktorët Mustafa Cetin dhe Metin Yilmaz u dënuan nën akuzat se kanë ndihmuar rrjetin Gulenist, njoftoi gazeta Sozcu. Secili u dënua me më shumë se tre vjet burgim.

Koordinatori i lajmeve në internet, Yucel Arı, reporteri Gokmen Ulu dhe drejtoresha e financave, Yonca Yücekaleli, u dënuan me dy vjet dhe një muaj burgim.

Gjykata vendosi të lirojë gazetaren, Mediha Olgun ndërsa vendimi për pronarin e gazetës Burak Akbay u shty, pasi ai po gjykohej në mungesë.

Që nga viti 2016-të, më shumë se 77.000 njerëz janë burgosur dhe janë në pritje të gjykimit si dhe rreth 150.000 shërbyes civil, personel ushtarak dhe të tjerë janë larguar ose pezulluar nga puna e tyre, nën akuzat se janë përkrahës të Gulenit.

Gulen, i cili ka jetuar në mërgim të vetë-imponuar në Pensilvani që nga viti 1999, mohon çdo përfshirje në grusht-shtet.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *