Vendosni fjalën kyçe....

Luftimet në provincën Helmand, talibanët vrasin 10 ushtarë afganë


Dhjetë ushtarë afganë janë vrarë në një sulm të kryer nga talibanët në një bazë ushtarake të provincës jugore, Helmand.

Një shpërthim i fuqishëm fillimisht e përfshiu një pikë ushtarake të kontrollit në orët e vona të së premtes dhe më pas u përcoll nga përleshja e armatosur që zgjati disa orë. Kështu deklaroi zëdhënësi i kësaj province, Omar Zawak.

Përpos të vrarëve, ai tha se në këtë sulm mbetën të plagosur katër ushtarë afganë.

Militantët talibanë kanë prani të madhe në provincën e Helmand-it dhe së voni i kanë shpeshtuar sulmet në bazat dhe pikat e kontrollit të ushtrisë afgane në pjesë të ndryshme të vendit.

Javën e kaluar, gjashtë ushtarë afganë u vranë, kur një sulmues vetëvrasës e shpërtheu një veturë të mbushur me mjete plasëse pranë një baze ushtarake në provincën Balkh. Përgjegjësinë për këtë sulm e morën talibanët.

Të hënën, një ushtar amerikan u vra gjatë luftimeve me talibanët në provincën veriore, Kunduz.

Përveç ushtarëve, nga bombat e talibanëve, të montuara kryesisht afër rrugëve, gjatë vitit që po e lëmë pas kanë vdekur edhe dhjetëra civilë, shkruan “Free Europe”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *