Një anëtar i ekipit të shpëtimit që nxorrën shëndoshë e mirë nga një shpellë e përmbytur në Tajlandë vitin e kaluar, 12 djem dhe trajnerin e tyre të futbollit, ka ndërruar jetë si pasojë e një infeksioni që mori gjatë atij operacioni.
Sipas BBC-së, Beirut Pakbara nga marina Tajlandeze, mori një infeksion gjaku gjatë operacionit të shpëtimit në shpellën Tham Luang.
Ai mbahej nën mbikëqyrjen mjekësore, por gjendja e tij u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë të premten.
Kujtojmë se gjatë këtij operacioni humbi jetën edhe një tjetër pjesëtar i ekipit të shpëtimit, Saman Gunan.
Saman kishte qenë duke i dhënë bombola ajri fëmijëve dhe ndërsa po dilte nga shpella atij vetë i mbaroi ajri dhe humbi vetëdijen.
Historia e 12 djemve të bllokuar në shpellë mbajti pranë ekranit me zemër të ngrirë mijëra njerëz për disa javë.
Djemtë e moshës midis 11 dhe 16 vjeç, dhe trajneri i tyre 25-vjeçar kishin qenë duke eksploruar shpellën në 23 qershor 2018, kur shpella u përmbyt dhe ata mbetën të bllokuar atje thellë.
Ata u nxorrën nga atje pas 17 ditësh, në një operacion ku morën pjesë jo vetëm ekipet tajlandeze, por edhe nga vende të tjera.
Shpella në provincën veriore Chiang Rai të Tajlandës u rihap për turistët vetëm në nëntor të këtij viti.