Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka sulmuar kreun e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke thënë se ka shkelur VKM-në që ndalon festimet e institucioneve shtetërore për Vitin e Ri.
Në videon e publikuar nga Zhupa, Rama shfaqet ndërsa jep urdhrin që të mos organizohen festime për vitin e ri nga institucionet qofshin ato buxhetore ose jo. Por më pas shfaqen fotot e darkës së organizuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri me përfaqësues të klerit dhe personalitete.
“Banorët e Tiranës ende janë pa strehe edhe pa siguri pas termetit ndërsa Veliaj shtron darka festive edhe kundër urdhërit dhe VKM së Rames!
Pasi e urdhëroj të lyej shkallët e një banese sociale, pasi e turpëroi publikisht kur i tha se ‘nëse të duhet, ti e ha të gjalle gjelin e detit’, Erion Veliaj ka gjetur një formë hakmarrje ndaj Rames, duke i vënë në dyshim autoritetin!
Në kundërshtim me VKM e Ramës, dhe me deklaraten e tij publike që: ‘Askush nuk duhet të dedikoje fond nga institucione buxhetore apo jo buxhetore, nga institucionet të qeverisjes vendore për vitin e ri, për darka e për valle’, Veliaj ka vazhduar ahengun festiv me administratorët e bashkise, anëtarë të këshillit bashkiak dhe të ftuar të tjerë të tij.
Shqipëria Solidare është thjeshtë sllogani, për qejfet e tyre edhe paratë për oligarket nuk kanë luajtur asnjë qindarkë!”– shkruan Zhupa.
Në darkën e organizuar nga ai, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Krishtlindjet janë një moment reflektimi për këdo ndërsa theksoi se Tirana ia arriti që të ringrihet shpejt pas tërmetit të 26 Nëntorit. Ai siguroi se bashkia do të ofrojë në të gjitha mensat e saj sociale ndihmë për njerëzit në nevojë por në asnjë moment nuk përmendi urdhrin e kryeministrit Rama që ndalon festimet e institucioneve për fundvit.