Vendosni fjalën kyçe....

Aktivistët e OP-së mblidhen para Komisariatit Nr.1, kërkojnë lirimin e shokëve


Aktivistët e Organizatës Politike janë mbledhur përpara Komisariatit Nr.1 në Tiranë, për të kërkuar lirimin e tre aktivistëve që shpërndanë fletushka kundër biznesmenit Samir Mane në Tiranë.

“Kjo është dita e tretë që shokët tanë Frenklin Elini, Bislim Lakna dhe Enriko Peçuli po mbahen të burgosur në komisariatin numër 1. “Krimi” i tyre i vetëm është shpërndarja e fletushkave që vinin në dukje një të vërtetë të thjeshtë dhe të hidhur: Samir Mane po shtyp minatorët!

Sot të gjitha institucionet e shtetit janë në dorë të Samir Manes. Ky oligark mund t’u rrezikojë jetën minatorëve, të pushojë nga puna sindikalistë dhe të torturojë aktivistë, dhe prapëseprapë të jetë i paprekshëm. Të prekshëm, të dhunuar dhe të persekutuar janë vetëm ata që me qytetari dhe paqësisht i kundërvihen sundimit të tij.

Ne, aktivistët e Organizatës Politike, jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund solidaritetit me minatorët e Bulqizës dhe përpjekjes për drejtësi.
Çdo qytetar i ndershëm duhet të bashkohet për t’iu kundërvënë oligarkisë që po na vjedh, po na shkatërron dhe po na dhunon.

Së bashku kemi në dorë të ndërtojmë një vend të denjë për të jetuar!

Nesër, në dhomën penale të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë do të shqyrtohet masa e sigurisë për tre aktivistët tanë. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për ta ngritur zërin bashkërisht kundër burgosjes politike dhe shtetit të kapur nga oligarkët.

Liri për Frenklin Elinin, Bislim Laknën dhe Enriko Peçulin!”– lexoi një nga aktivistët, Klodi Leka.

Disa aktivistë të Organizatës Politike janë përfshirë para dy netësh në një konflikt me personelin e sigurisë së qendrës tregtare  “TEG” në pronësi të Samir Manes.

Katër aktivistët po shpërndanin fletë palosje me mbishkrimin “Samir Mane shtyp punëtorët” në qendrën tregtare dhe më pas janë ndaluar nga personeli i sigurimit. Por ata pretendojnë se është ushtruar dhunë ndaj tyre.

Aksioni i aktivistëve ishte në vazhdimin e veprimeve të tyre në mbrojtje të minatorëve të Bulqizës, 4 prej të cilëve janë shkarkuar nga puna nga kompania në pronësi të Samir Manes. Minatorët ishin pjesë e protestave sindikale në Bulqizë për mbrojten e të drejtave të tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *