Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka konfirmuar se për 2019-ën nuk do të ketë qeveri të re. Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti tha se vetëm në janar do të ndodhë pajtimi me LDK-në për të ndarë pozitat shtetërore.
Lideri i VV-së ka thënë se Partia e Isa Mustafës refuzoi pozitën e Kryetarit të Kuvendit të cilën e mori Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
“80 ditë nuk mjaftuan për ta arritur marrëveshjen që kërkohej sepse kishte kërkesa përtej mandatit. Ne kemi marrë mesazh të qartë në zgjedhje, që opozita e djeshme të jetë pozita e ardhshme. Ne si lëvizje jemi munduar të reflektojmë në këtë mesazh. Ne kemi ofruar njërin nga dy postet që qytetarët na ofruan neve. E ofruam pozitën e kryeparlamentarit por ajo u refuzua”, ka shtuar Kurti, citon Express.
Ai tha se nuk duhet humbur më shumë kohë për të formuar qeverinë.
“Unë pres që pas konstituimit të Kuvendit të fokusohemi në bërjen e koalicionit qeverisës sepse pengesat e panevojshme nuk i duam. Ne nuk do të ishim VV nëse nuk punojmë e kërkojmë ashtu siç duan qytetarët. Kohë për të humbur nuk kemi sepse s’kemi ekonomi të zhvilluar, nuk kemi shërbime të mira shëndetësore dhe pothuajse të gjithë sektorëve iu duhet ndërhyrje”, ka thënë lideri i VV-së.
Kurti tha se vetëm Partia e Isa Mustafës e përcakton se kur do të formohet Qeveria e re e jo Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.
Ai tha se takimi me Thaçin do të bëhet, por data e formimit të qeverisë do të përcaktohet pas marrëveshjes mes LDK’së e VV’së.
“Pra, Presidenti i Republikës përcakton datën e konsitutimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë. Formimin e Qeverisë e përcakton tjertërkush. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës jo Presidenti i Republikës”, janë fjalët e Kurtit.