Policia e Kosovës ka arrestuar Haxhi Hotin, anëtar i Nismës Socialdemokrate pas kërcënimeve ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit.
Lajmin e ka konfirmuar për Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Dje e kanë kërkuar në shtëpi nuk e kanë gjetur aty. Policia ka njoftuar të gjitha njësitet që i njëjti të arrestohet, ndërkohë ai është paraqitur në polici. Me urdhër të Prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Hoxha.
E gjithë kjo ka nisur për shkak të një deklaratë të Hotit, i cili ka thënë se Kurti ka vetëm dy rrugë, të lëshojë Kosovën ose të vritet.
“Albin Kurti i ika 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, shkruante Hoti në profilin e tij në ‘Facebook’ të cilin e ka fshirë më pas me arsyetimin se ka ndodhur gabim teknik.
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në polici një kallëzim penal ndaj Hotit, duke e konsideruar kërcënim brutal.
“Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e VV-së.
LV thotë se nuk e di nëse ka qenë deklarate e porositur, porse këtë duhet ta zbulojë policia e prokuroria.
Në komunikatën për mediat, VV thotë se Hoti është edhe adhurues i madh i presidentit Hashim Thaçi.
“Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës”.– thuhet në deklaratë.