Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Albin Kurti ka folur lidhur me kërcënimet ndaj tij nga kandidati i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti.
Kurti tha për gazetarët se ky kërcënim “nuk është ndonjë gjë e madhe” dhe ka preferuar që të merren organet e drejtësisë me këtë.
Ai më pas ka bërë dhe një shkrim në rrjetet sociale ku shprehet: “Unë nuk jam John Fitzgerald Kennedy kurse z. Haxhi Hoti nuk është Lee Harvey Oswald. Nuk mund t’i vlerësoj çështjet e sigurisë dhe as të përzihem në ato të drejtësisë, por besoj që do të ishte mirë që z. Hoti të lirohet e ta presë Vitin e Ri 2020 me familjen e tij në shtëpinë e tij”.
Mbrëmjen e kaluar, anëtari i Nismës Socialdemokrate Haxhi Hoti publikoi një mesazh kërcënues për Albin Kurtin në ‘Facebook’.
“Albin Kurti i ika 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, shkruante Hoti, i cili e ka fshirë më pas postimin me arsyetimin se ka ndodhur gabim teknik.
Por sot Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar një kallëzim penal kundër Hotit në Polici, kjo e fundit e ka arrestuar atë dhe e ka dërguar në mbajtje për 48 orë.