Partia Demokratike vijon me denoncimet lidhur me lënien në harresë të shkollave rurale nga qeveria, çka konkludoi dhe në shembjen e tyre pas tërmetit të 26 nëntorit.
Përfaqësuesit e PD-së, Çlirim Gjata, Astrit Veliaj dhe Flamur Hoxha sollën në vëmendje dy shkolla të tjera që janë në listën e objekteve të shembura dhe të caktuara për shembje, përkatësisht shkolla e mesme e bashkuar në Bubq dhe ajo në Pezë.
Të dyja shkollat kanë rreth 700 nxënës, por sipas demokratëve për rikonstruksionin e tyre nuk është kujdesur askush, duke i lënë të rrënohen me kalimin e kohës dhe të dëmtohen plotësisht nga tërmeti, i cili për fat të mirë nuk ra në kohën e mësimit të fëmijëve.
Tani, 700 fëmijë detyrohen të shkojnë shumë larg për të ndjekur shkollën, ndërsa ende nuk ka nga qeveria një plan publik për rindërtimin e tyre.
“Jemi tek shkolla e mesme e bashkuar e Bubqit, ku ka 280 nxënës nga mosha 6-18 vjeç. Në këtë shkollë nuk është bërë asnjë investim, asnjë rikonstruksion. Shkolla është shembur, është jofunkionale dhe e kanë shembur pa pritur hetimet. Ne kemi dëgjuar rreth muajit shtator ministren e arsimit që ka thënë: “ne nuk do të investojmë për shkolla ku ka 7, 10, 15 apo 20 nxënës, sepse nuk ia vlen. Nuk do t’i hyj kësaj deklarate absurde, se pse ata 5 ose 10 nxënës nuk paskan të drejtën e arsimimit, kjo është çështje tjetër, po këtë që ka pasur 280 nxënës, ku e ka rikonstruksionin, investimin, riparimin, interesimin? Po të kishte ndodhur ditën çfarë katastrofe humanitare do t’u ndodhte fëmijëve?! Ngutja për të zhdukur gjurmët si në Thumanë, rasti që është zhdukur gjithçka këtu, nuk kemi asnjë interesim, megjithëse është shkollë e mesme e bashkuar me 280 nxënës. Këta fëmijë i ka shpëtuar Zoti në një lloj kuptimi.”- tha Çlirim Gjata, Sekretar për çështjet ligjore në PD.
Më tej ai zbuloi se fëmijët që bënin më parë në shkollën e Bubqit tanimë janë transferuar në Fushë-Krujë dhe e bëjnë mësimin atje pasdite. Mirëpo ata kthehen natën pas mësimit dhe furgoni i lë në qendër të fshatit dhe më pas ata duhet të marrin rrugën vetë në errësirë për të shkuar në banesat e tyre.
“Këta 280 nxënës janë dërguar në Fushë Krujë për të vazhduar mësimin dhe është vënë një autobus që i merr në qendër dhe i kthen, fëmijët e vegjël që e kanë shkollën pasdite lihen vetëm natën 6-10 vjeç dhe shkojnë në çadrat e tyre, kodra me rrugë e pa rrugë dhe kjo kërkon një kujdes dhe masë.”- shtoi përfaqësuesi i PD-së.
Gjata më pas kërkoi veprime konkrete nga Prokuroria, që të hetojë rastet e tenderimeve dhe rikonstruksioneve të bëra në shkollat e shembura.
Duke parë gjithë këtë abuzim, korrupsion, shkolla të shkatërruara nga tërmeti menjëherë pas rikonstruksionit, të shembura të zhdukura për të mos lënë asnjë gjurmë, zhduket dokumentacioni i riparimeve i tenderimeve dhe rikonstruksionit, nuk dihet ku është; shkolla pa marrë asnjë masë, të lëna në mëshirë të fatit, terrene të tëra me banim dhe shkolla pa asnjë studim, pa asnjë interesim se çfarë ndodh në rast të një fatkeqësie, të lënë në dorë të Zotit.
Kemi parë Prokurorin e Përgjithshëm i cili një ditë pas emërimit shkoi në Prokurorinë e Durrësit dhe tha “prokuroria tani do të lëvizë”. Të shohim nëse prokuroria ka mësuar të ecë, shoë mbaroi. I nderuar prokuror i përgjithshëm, prokuror i rrethit të Krujës, Durrësit apo SPAK-ut, kushdo që e ka në dorë, ka mundësi të shohim diçka konkrete nga ju? Duhet filluar se kush i dha këto leje, kush i bëri këto tenderime, kush i mori në dorëzim këto shkolla.
Me qindra fëmijë kanë qenë në rrezik në një katastrofë humanitare, po të kishte ndodhur ditën. A duhet bërë një hetim? Me qindra mijëra euro janë bërë në rikonstruksione dhe nuk ka asnjë hetim deri tani, ose asnjë masë nuk është marrë dhe janë lënë në mëshirë të Zotit.
Kërkojmë nga Prokuroria diçka konkrete dhe mbi të gjitha duhet të bëhet transparenca. Nuk mundet që këtyre taksapaguesve t’u thuhet se “ju shpëtoi zoti” dhe të mos bëhet transparente. Ku qëndron përgjegjësia e pushtetit vendor, kryetarit të bashkisë, ministria e arsimit, qeveria e deri tek kryeministri?! Kjo është detyrë e prokurorisë dhe më pas e të tjerëve.
Ne do të vazhdojmë denoncimet për shkollat dhe banesat. Nuk mund të lihen në dorë të Zotit, sepse kemi 24 viktima në Thumanë e të tjerë në Durrës, gjithë këtë tragjedi.”- tha Gjata.
Ndërsa ish-deputeti tjetër i PD-së Astrit Veliaj ka qenë në Pezë Helmes, nga ku ka deklaruar se 400 nxënës e bëjnë shkollën në Vaqarr, larg familjeve të tyre dhe se nuk është bërë asgjë nga qeveria.
“Këtu jemi në Pezë Helmës, në shkollën 9-vjeçare të Pezës. Sigurisht, ka dalë jashtë përdorimit nga tërmeti i fundit. U bënë 31 ditë që qeveria nuk po hedh sytë nga kjo shkollë ku 400 nxënës bëjnë shkollën në Vaqarr, larg familjeve të tyre. Detyrohen të zgjohen më herët dhe të vijnë edhe më vonë nga shkolla. Me sa shohim, kjo qeveri nuk e ka me prioritet arsimin, nuk e ka zhvillimin e vendit. Çdo komb i qytetëruar në botë ka prioritet arsimin, me sa shohim këtu, me këtë qeveri prioritet janë oligarkët të cilëve nuk ua heq ato 150 mln euro e të investojë në shkolla.
Ky fshat këtu ka nevojë, përveç shkollës 9-vjeçare, për një shkollë të mesme, sepse duhet largohen për të bërë shkollën e mesme me dhjetëra kilometra në një shkollë tjetër, pasi këtu nuk ka shkollë të mesme.
Duhet investuar në arsim sepse është e ardhmja e kombit. Kjo qeveri nuk e ka prioritet arsimin, ka prioritet oligarkët, të ndajë paratë me oligarkët, me njerëzit që hanë e pinë me ta dhe nuk i hedhin sytë nga njerëzit e varfër”, tha Veliaj.
Ndërsa një prind kërkoi ndërtimin e një shkolle të mesme pasi sipas tij zona ka një popullsi të madhe.