Qeveria britanike ka publikuar gabimisht në rrjet adresat e më shumë se 1 mijë personave, mes tyre edhe këngëtari Elton John.
Zyra e kabinetit ka kërkuar falje dhe thotë se po heton se çfarë ka ndodhur. Lista përfshinte të dhënat e atyre që do të kujtoheshin nga qeveria me rastin e Vitit të Ri. Në listë, ishin disa të famshëm, oficerë të lartë të policisë dhe politikanë.
Lista u publikua në faqen zyrtare të qeverisë të premten në mbrëmje dhe u fshi të shtunën.
Shumica e shënimeve përmbante adresat e plota – përfshirë numrat e shtëpive dhe kodet postare. Zyra e kabinetit tha që dokumenti ishte i dukshëm për rreth një orë.
Ish-kreu i shërbimit civil Lord Kerslake i tha BBC-së se qeveria mund të përballet me veprime juridike nga personat që iu bënë publike adresat, si dhe nga Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO).
“Në pikën kur njerëzit janë të lumtur për marrjen e një nderimi, të publikojnë informacione si këto është me të vërtetë një lajm i keq. Kështu që unë mund ta kuptoj pse ata mund të jenë shumë të shqetësuar. Por edhe nëse individët nuk e ndjekin, komisioneri i informacionit duhet ta hetojë dhe ne e dimë se në raste të tjera kur ka pasur shkelje të konsiderueshme të të dhënave, gjobat e mundshme janë vërtet shumë të mëdha.”– tha Kerslake.
Mes adresave të publikuara, ishte ajo e këngëtarit Sir Elton John, lojtarit të kriketit Ben Stokes, kuzhinieres televizive Nadiya Hussain dhe ish-drejtores së ndjekjes publike Alison Saunders.