Vendosni fjalën kyçe....

Yjet e Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë zbresin më 10 janar në ‘Air Albania Stadium’, të ardhurat për familjet e prekura nga tërmeti


Yjet historikë të kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë do të zbresin në fushën e ‘Air Albania Stadium’ në datën 10 janar.

Në këtë veprimtari do marrin pjesë emrat e njohur të katër kombëtarëve, siç janë Zambrota e Perrota, Kampionë të Botës me Italinë në vitin 2006, apo Hasan Sas, i cili ishte një nga liderët e Turqisë në Botërorin e vitit 2002 ku u renditën në vendin e tretë si dhe fqinjët grekë të cilin fituan Kampionatin Europian në vitin 2004 nën dirigjimin e Karagunis.

Kjo nismë sipas FSHF-së synon krijimin e një tradite të tillë në futbollin shqiptar për të afruar sportadëshit me emrat e mëdhenj të futbollit tone dhe atij ndërkombëtar.

Të gjithë të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave të ndeshjes do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ky turne organizohet nga Sindikata e Futbollit me mbështetjen e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit.

‘Federata e Futbollit dhe Sindikata e Futbollistëve, fton të gjithë sportdashësit në këtë festival të paharrueshëm, ku do të performojnë në fushën e blertë emra të dashur, historikë dhe kampionë të futbollit, pa harruar edhe performancën artistike të emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare. Le të bashkohemi në këtë turne për të dhënë sadopak ndihmesë për të prekurit. Ky projekt i përgjegjësisë sociale, vjen në vazhdën e aktiviteteve të pandërprera të Federatës së Futbollit, të stafit dhe djemve e vajzave të kombëtareve shqiptare për të ndihmuar dhe lehtësuar familjet e prekura nga tërmeti. Fokusi parësor ka qenë te fëmijët. Federata e Fubollit është zotuar të ndërtojë të paktën tre shtëpi të rrënuara nga tërmeti, ose më shumë në varësi të fondeve të mbledhura. Ka nisur tashmë evidentimi i shtëpive.’ – thuhet në njoftimin e FSHF-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *