Kryeministri Edi Rama, është zotuar sot gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Rindërtimit se brenda vitit 2021 asnjë qytetar nuk do të lejohet më që të kalojë vitin e ri në çadër.
Në këtë mbledhje Rama paraqiti objektivat për zonat e prekura nga tërmeti dhe ndihmën që do t’u jepet qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilët kanë mbetur të pastrehë.
“Objektivi është që brenda 2020, të gjithë ata që jetojnë në fshat, që për arsye legjitime nuk janë spostuar në zonat urbane, dhe thjesht kanë kërkuar një çadër duhet të futen në shtëpinë e tyre të re. Asnjë nuk do ta lëmë të kalojë vitin e ri 2021 në çadër, ky është objektivi i parë. Besoj se ne do të jemi gati, që me fillimin e pranverës, maksimalisht marsin, të bëjmë spostimin e familjeve që jetojnë në fshat nga çadrat në shtëpitë e reja. Spitalet, shkollat duhet të riparohen brenda disa muajsh. Lagjet e reja, ambicia është se brenda 5-6 mujorit të parë t’i kemi në kantier, kjo kërkon shumë kohë, sepse kërkohet ndërhyrja masive. Pika tjetër lidhet me donacionet, sepse u përmend donacionet e vogla.
Në këtë rast meritojnë vlerësimin më të madh, sepse kanë ndarë diçka nga buxheti i tyre familjar për rindërtimin. Duhet filluar meremetimi për pallatet e banimit, por më një ekzigjencë për të rregulluar eurokodet, ky është meremetim që bëhet me shpenzimet e vetë kompanive. Për famijet e varfëra, apo shtresën e mesme, që ka humbur shtëpinë nga tërmeti ne u garantojmë kushte më të mira nga ato që kishin. Tërmeti ka goditur familjet e varfra dhe familjet me të ardhura modeste. Spitalit i Laçit, një godinë tani e amortizuar do të jetë më cilësore, më e sigurt, më dinjtoze, sepse do të ndërtohet nga e para dhe do të garantohen kushte shumë më të miria se ato që ishin më parë”, tha Rama.
Sipas shifrave të bëra publike nga ministri Bledi Çuçi, këtë vit të ri do ta kalojnë në çadra rreth 10 mijë banorë.