Vendosni fjalën kyçe....

Aktivistët kërkojnë informacionin për Teatrin, por bashkia s’u përgjigjet: Veliaj ka vendosur fshehurazi për tenderin


Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kanë akuzuar Bashkinë e Tiranës se ka refuzuar t’u japë informacione lidhur me tenderin që ka hapur ky institucion për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Pedagogu i gazetarisë Ervin Goci e konsideroi të papranueshme mungesën e dhënies së informacionit. Ai thotë se kryebashkiaku Erion Veliaj e ka nënshkruar fshehtas marrëveshjen për shembjen e Teatrit.

 “Këtu jemi përpara një shkelje penale, erdhëm për të kërkuar informacion dhe iu thamë që do sjellim një përfaqësues, dhe e shikoni çfarë ndodh (Policia bëhet gardh), kjo është një shkelje penale. Është një fakt administrativ që na është mohuar informacioni, dhe kjo bëhet se Bashkia ka vendosur fshehtas që ka vendosur që të shembë Teatrin.

Pse nuk e hapin derën dhe bëjnë pinpong me qytetarët! Kryetari i Bashkisë ka thënë se ka rekrutuar një kompani, që do të shpallë fituesin e marrëveshjes, ky zotëria e ka thënë me zë dhe me figurë, që e ka lidhur marrëveshjen për prishjen e Teatrit.

Kjo është me të vërtetë e frikshme, se këtu mund të vijnë një ditë te shtëpia, dhe të të hedhin banesën në tokë. Është fare e qartë se këtu nuk të lejojnë që të marrësh të drejtën tënde. Këtu është marrë vendimi, dhe kanë frikë që të avancojnë, duan të kalojnë direkt te hedhja e gazit publik.

Ne në një mënyrë apo në një tjetër do ta marrim atë informacion, ky individ është shndërruar në një nga njerëzit më të rrezikshëm që ka Tirana, pasi merr vendime fshehtas. Janë 120 milionë euro që janë këtu brenda, dhe ne që paguajmë taksa nuk mundemi të hyjmë dot brenda. Nuk më pengon mua do njeri që të marr informacion”, deklaroi Goci para bashkisë.

Gjatë kohës që aktivistët u mblodhën te bashkia për të kërkuar informacion, hyrja e bashkisë brenda minutash u rrethua nga një kordon policor. Pedagogu shtoi se këtë çështje do ta ndjekin në gjykatë dhe nuk do lejojnë shembjen e Teatrit./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *