Pjesën dërrmuese në videomesazhin e urimit për Vitin e Ri të kryeministrit Rama e zuri tërmeti i 26 nëntorit dhe pasojat e tij.
Kreu i qeverisë tha se tani është çasti për të kapitalizuar rilindjen ekonomike e sociale pas tërmetit.
Ai premtoi se brenda vitit 2020, kush e ka humbur shtëpinë do hyjë në shtëpi të re.
‘Nuk duhet ta humbim këtë momentum të ri për të kapitalizuar rilindjen ekonomike e sociale që ka prodhuar ky fundvit dramatik, nuk kemi kohë për të humbur, duhet të shtyjmë me forcë përpara dhe të bëjmë pa humbur kohë çdo punë që nuk dihet lënë më për nesër”, u shpreh kreu i qeverisë. Brenda 2020-ës kush ka humbur shtëpinë do hyjë në shtëpi të re. Deri në gjysmën e parë të vitit 2020, duhet të jënë hapur kantieret e lagjeve të reja. Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksionet të ndërtohen nga e para deri në shtator’, tha Rama.
Më tej, në urimin e tij, kreu i qeverisë foli edhe për drejtësinë dhe për grupin që e konsideron KÇK duke thënë se cilido që është akuzuar nga prokuroria dhe i ka shpëtuar drejtësisë do përgjigjet para ligjit.
‘Viti 2020 duhet të shënohet si viti kundër forcës së krimit. Me të nisur Viti i ri tërmeti i shtetit do të bjerë fuqishëm mbi të fortët, që i bëjnë karshillëk komunitetit dhe këtij vendi, që nuk meriton njollën e pisllëkut. Kush është akuzuar nga Prokuroria dhe i ka shpëtuar drejtësisë, duhet të provojë pastërtinë e burimit të pasurisë. Kush i ka shpëtuar drejtësisë me anë të KÇK, do të përgjigjet.’ – shtoi kreu i qeverisë.