Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar sërish në takim konsultativ liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në letrën e publikuar nga mediat në Kosovë, presidenti Thaçi thotë se “me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për kryeministër për formimin e Qeverisë së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsultativ më datën 31 dhjetor 2019 në ora 10”. Më herët Kurti ka refuzuar edhe dy ftesa të tjera të presidentit Thaci me justifikimin se nuk ndodhej në Prishtinë. Ai pati thënë para gazetarëve se “agjenda e tij nuk mund të bëhet aty për aty, gjatë ditës, duke pohuar se do ta takojë Thaçin, porse jo me urgjencë”.
Në bazë të Kushtetutës, fillimisht presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen, për ta formuar Qeverinë.
Por, më 29 dhjetor, lideri i VV-së, Albin Kurti tha se datën nuk e përcakton presidenti i vendit, por ajo varet nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës. “Presidenti përcakton datën e konstituimin të kuvendit dhe jo formimit qeverisë. Mua datën ma përcakton LDK, nuk bënë të ketë keqkuptime. Takimet do të ndodhin dhe do të ketë konsultime. Ndërkohë po i intensifikojmë bisedimet”, ka thënë Kurti.