Është nisur drejt Tiranës, kryetari i Bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe, i cili mbeti i plagosur mëngjesin e sotëm pas një shpërthimi në zyrën e tij.
Sipas gazetës ‘Panorama‘, pasi mori ndihmën e parë në spitalin e Lushnjës, mjekët kanë vendosur ta dërgojnë Tushen në Tiranë për mjekim të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar. Kryebashkiku ka marrë dëmtime në shpatull dhe në këmbë.
Pas tij është nisur për në Tiranë edhe sekretarja Erisa Qalliu, e cila thuhet se është në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me shpërthimin që ndodhi mëngjesin e sotëm, duke konfirmuar se i dyshuar për shpërthimin është ish-shoferi i kryebashkiakut, Gëzim Saraçi.
Ai mendohet se i ka hedhur një granatë Tushës në zyrë dhe ndërkohë policia është vënë në kërkim të tij.