Partia Demokratike ka reaguar lidhur me shpërthimin që ndodhi mëngjesin e sotëm, në bashkinë e Lushnjës ku mbetën të plagosur kryetari Fatos Tushe dhe sekretarja Erisa Qalliu.
Sipas PD-së, kjo ngjarje është pasqyrë e drejtimit të vendit ndërsa akuzojnë se bëhet fjalë për prishje të pazareve të drogës mes kryebashkiakut dhe ish-shoferit të tij, Gëzim Saraçi. PD e akuzon këtë të fundit se ishte trafikant droge dhe se me paratë e pista ka financuar fushatën e Tushes dhe se të dy kanë ndarë bashkë paratë e përfituara nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni.
“Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Bashkinë e Lushnjës është pasqyra e vërtetë e drejtimit të vendit nga Edi Rama në çdo nivel, në qeverisjen qendrore dhe atë lokale.
Të gjitha rrethanat tregojnë se goditja e kryebashkiakut të Lushnjës është prishje pazaresh mes tij dhe ish shoferit, me të cilin ka ndarë bashkë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni.
Është fakt i njohur në Lushnjë, se ish shoferi i kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një trafikant droge dhe prostitucioni, ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes. Çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij.
Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës, është tregues i degradimit të shtetit të ndërtuar prej Edi Ramës, si dhe një fakt më shumë se njerëzit me të cilët ai përfaqësohet, ble vota dhe mban pushtetin janë llumi i shoqërisë.
Për Partinë Demokratike ka vetëm një mënyrë për të dalë nga kjo krizë përfaqësimi. Këto janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë, të cilat do të largojnë nga drejtimi i vendit kryeministrin me rekordet më të zeza të lidhjeve me krimin dhe korrupsionit dhe për t’u dhënë qytetarëve një qeveri që punon për mirëqenien dhe sigurinë e tyre.”– thuhet në reagimin e PD-së.
Shpërthimi në Bashkinë e Lushnjës ka ndodhur sot rreth orës 09:00 të mëngjesit, kur kryetari Tushe sapo ka mbërritur në bashki. Sipas policisë, ish-shoferi Gëzim Saraçi dyshohet e ka pritur kryetarin te shkallët, dhe më pas janë ngjitur së bashku në zyrën e këtij të fundit. Më pas ai dyshohet se i ka hedhur një granatë kryebashkiakut në zyrë dhe është larguar. Ng shpërthimi mbeti i plagosur kryebashkiaku dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu. Të dy janë dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Sakaq janë ngritur disa postblloqe në të gjitha hyrjet dhe daljet e qytetit dhe policia është vënë në kërkim të Saraçit.