Vendosni fjalën kyçe....

Policia jep detajet zyrtare mbi shpërthimin në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës


Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me shpërthimin që ndodhi mëngjesin e sotëm në Bashkinë e Lushnjës, ku mbeti i plagosur kryebashkiaku Fatos Tushe si dhe sekretarja e tij.

Në njoftimin e policisë, konfirmohet se Tushe dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spitalin e Lushnjës.

Ish-shoferi i kryebashkiakut, Gëzim Saraçi, dyshohet se është autori i ngjarjes. Ai është shpallur në kërkim pasi mendohet se i ka hedhur një granatë Tushës në zyrë.

“Sot, rreth orës 09:00, në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnjë, dyshohet se është hedhur një granatë dore dhe për pasojë është dëmtuar Kryetari i Bashkisë shtetasi F. T. dhe sekretarja e Bashkisë, shtetasja E. Q., të cilët ndodhen në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është ish-shoferi i Kryetarit të Bashkisë, shtetasi G. S., i cili pasi ka hedhur granatën është larguar menjëherë nga ambientet e Bashkisë Lushnjë.

Forca të shumta policie të Komisariatit të Policisë Lushnjë, të DVP Fier, Renea e FNSH e Fierit po krehin zonën, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorit.

Grupi i posaçëm hetimor, me Specialistë nga Departamenti i Policise Kriminale ne Policine e Shtetit dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.”– thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas gazetës Panorama, Tushe nuk ndodhet më në spitalin e Lushnjës por është dërguar në Tiranë për mjekim më të specializuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *