Vendosni fjalën kyçe....

Profil/ Bujar Alimani: Filmat, arritjet, synimet


Nga Ela Wamsler

Filmi shqiptar nuk ka njohur ndonjëherë kaq shumë sukses në skenat ndërkombëtare. Jo vetëm përzgjedhja në kompeticione ndërkombëtare të filmit është e vështirë, por edhe vlerësimi.

Mirëpo këto dy vështirësi duket sikur një regjisor shqiptar i kapërcen lehtësisht. Ai është Bujar Alimani. Filmat e tij “Amnistia” (2011), “Krom” (2015) dhe “Delegacioni” (2018) janë shfaqur në shumicën e festivaleve ndërkombëtare dhe madje, edhe në festivalet e Kategorisë A.

Një prej tyre ishte edhe Festivali i Filmit në Varshavë, ku filmi shqiptar u shfaq me shumë sukses dhe u vlerësua me dy çmime: Çmimin Ecumenikal (për mesazhet e paqes dhe marrëdhëniet e veçanta njerëzore) dhe çmimin kryesor Grand Prix, për Filmin më të Mirë të vitit 2018. Ky është çmimi më i madh ndërkombëtar me të cilin nderohet kinemja shqiptare, një fakt ky për tu nënvizuar.

Të tre filmat  e tij kanë garuar në Oscar, në kategorinë e filmit joanglishtfolës. Këto fakte e bëjnë Alimanin regjisorin e vetëm shqiptar me kaq shumë pjesëmarrje në festivalet më prestigjioze në botë, si edhe të vetmin me tre kandidatura zyrtare të Shqipërisë në Oscar.

Çdo film i tij i gjatë ka shfaqur premierën botërore në një Festival të kategorisë A: “Amnistia” në Berlin, “Krom” në Karlovy Vary dhe “Delegacioni” në Varshavë. Gjithashtu, “Amnistia” është i vetmi film shqiptar që është shfaqur në Muzeun e Artit Modern MOMA në New York në Janar të 2012.

Duhet thënë, se Alimani është regjisori me produktivitetin më të lartë në kinemanë moderne shqiptare, atë të pas viteve 2000, me tre filma me metrazh të plotë, një me metrazh të mesëm (“Vëthi i munguar”), katër me metrazh të shkurtër (“Katoi”, “Gaz”,”Busulla” dhe “Një histori dashurie”) dhe një dokumentar (“Zois”).

Po të vazhdonim me të tjera detaje rreth arritjeve artistike të filmave, çmimet e shumta ndërkombëtare etj, do të duhej shumë hapësirë dhe kohë.

Por ajo që vihet re bindshëm në zhvillimin artistik tërësor është fakti, se regjisori imirënjohur po shenjon me filmat e tij dekadën “Alimani” në kinemanë shqiptare. Dhe kjo do të mbahet mend në kujtesën kinematografike si një moment kthese. Pse-në e suksesit do ta sqarojmë më poshtë.

Ku qëndron çelësi i suksesit të filmave me nënshkrimin Alimani?

Së pari, Alimani është një regjisor që bën filma autorë, siç quhen ata filma që nuk janë komercialë dhe që kanë për bazë në realizimin e tyre një regji të fortë dhe subjekte me tema universale.

Vetëm ky fakt duhet të shënojë suksesin numër një të kinemasë sonë, që edhe në kohët moderne, ku kinemaja botërore është e zhytur në komercializëm, përsëri ka regjisorë që guxojnë me filma të një cilësie të lartë, që vetëm kritika profesionale mund t’i vlerësojë në gjithë komponentët e tyre.

Së dyti, filmat e Alimanit kanë shumë të fortë elementin historik: jo si rrëfim kohor, por si një dëshmi e zhvillimeve social- politike të kohës, qoftë asaj të shkuar, ashtu edhe asaj të tashme. Madje, filli i hollë që ndan aspektin kohor në filmat e tij thuajse harrohet gjatë shikimit të filmit, pasi në fakt situatat shpesh janë aktuale, siç ishte rasti në filmin “Delegacioni”.

Njeriu intelektual edhe sot përballet me sfidat politike që duan t’i imponohen, të përfitojnë prej tij ose ta zhbëjnë njeriun, duke mos ia lënë të lira aftësitë zhvilluese. Ky është një mesazh i pakohë, por natyrisht në kohën kur vendoset filmi, në diktaturë, e mishëron më së miri moton e sistemit.

Tek filmi “Krom” pasqyrohet një realitet, për të cilin jemi të gjithë të ndërgjegjshëm qëështë ende aktual: fëmijë dhe prindër që punojnë në miniera për të siguruar të ardhmen, varfëri, lënie pas dore nga ana e shtetit e kësaj zone të pasur të Shqipërisë janë një pasqyrë aktuale e realitetit edhe sot.

“Amnistia” përshkohet e tëra nga tema e një shoqërie me mendësi të sëmurë, që ka hyrë në të gjitha qelizat e saj: në familje, nëinstitucione, në rrugë, tek njerëzit dhe kudo. Kjo ështënjë nga linjat që ka shkruar historinë shqiptare: vrasja për tradhti, për hakmarrje, për nder.

Së treti, në filmat e Alimanit ndjehet një impuls i fortë estetik që shprehet me gjuhën e pikturës, pra me imazhe. Për imazhin ka shumë për të thënë, që nga fakti që Alimani është vetë piktor në profesion dhe ndikimi prej ngjyrave ka qenë një nga elementët kryesorë që ai ka shfrytëzuar në filmat e tij.

Perdorimi i dritës, zgjedhja e këndit të xhirimit, hapësira e planeve dhe ekuilibrimi i gjithçkaje në kuadër, përfshi punën me ngjyrat, të kujton absolutisht tablo të pikturave. Është për t’u përmendur fakti, që te “Amnistia” shpesh pritjet e Luli Bitrit te kafeneja e burgut menjëherë të sjellin ndër mend pikturat e Eduard Hooper.

Skena e parë e filmit “Amnistia” hapet pikërisht me ngjyrat në një fabrikë, ku shohim të kuqen dominuese që mbyll edhe filmin në skenën tragjike të vrasjes së personazhit kryesor.

Po ashtu, ngjyra merr shumë rol në filmin e fundit “Delegacioni”, ku grija e agimit të një dite të re metaforikisht sinjalizon lindjen e një epoke të re, por që zgjat shumë dhe e bën të vështirë fushëpamjen (kjo edhe në realitet, pasi filmi zhvillohet në gjysmë errësirë në një pjesë të konsiderueshme të minutazhit të tij).

Paralelizmi i ngjyrës duket edhe tek “Krom”, ku shkëlqimi i gurit të kromit që mban në duar personazhi kryesor përkon me dëshirën për të bërë diçka me rëndësi në jetën e tij, ka lidhje me optimizmin dhe shpresën që përndizet brenda një djali të ri që po burrërohet.

Së katërti, gjuha e shprehur nuk e lodh shikuesin, dialogjet janë shkurtra dhe të qarta, nuk lënë ekuivoke. Shikuesi e merr lehtësisht mesazhin, sepse bëhet i qartë. Alimani është skenarist i gjithë filmave të tij, përveç “Delegacionit”.

Në aspektin e dialogjeve merr shumë rëndësi aspekti emotiv i karaktereve, i varur ky nga situatat, ku shpesh shikimet flasin më shumë. Psh. tek “Amnistia” ne e ndiejmë që personazhi grua në skenën erotike me të shoqin në burg nuk ka dëshirë, por ndjen detyrimin bashkëshortor dhe për këtë regjisori nuk jep asnjë dialog.

Nëna është memece tek filmi “Krom”, qëllimisht për të rritur mbajtjen pezull të publikut: ajo nuk flet me karakteret e tjera, por ne përqendrohemi të kuptojmëçdo veprim të sajin në funksion të gjuhës.

Të tilla dialogje të munguara e mbushin me mendim filmin, mendim ky që vjen tek shikuesi përmes imazhit, që kështu zbërthen edhe kuptimin e fabulës, edhe zhvillimin e brendshëm të karaktereve.

Së pesti, elementi emocional. Nuk mund të mos ndjehet në të gjithë filmat e tij ky element kaq i fortë. Nuk janë filma që të japin thjesht një buzëqeshje, apo të lënë në fytyrë një ndjesi habie. Jo. Këta filma të lënë pezull, të japin një emocion të fortë, qoftë negativ apo pozitiv, njësoj si historia që tregohet, sikurse përjetimet e personazheve.

Për të na e zbërthyer ne si shikues më lehtë mesazhin, regjisori përdor simbolika të rëndësishme dhe jo të stisura, por mjaft logjike, madje edhe gjetje inteligjente. Një e tillë është makina në filmin “Delegacioni”, që simbolizon sistemin politik shqiptar që po kalon fazën tranzitore në rrugën drejt demokracisë. Ky personazh i pestë, siç është shprehur Alimani, ka një peshë të vetën.

Ai është në situatën e një ngjitjeje të vështirë, një rrugë e përpjetë, që me zor e përballon. Kur makina prishet, rreth e rrotull nuk gjendet asnjë ‘usta’ që ta ndreqë, element ky që gjithashtu hap një shteg kuptimi për vështirësitë e rrethanave vendore, jo vetëm atyre kohore: një vend i humbur, pa ‘mjetet’ e duhura për të shkuar drejt demokracisë.

Për këtë gjetje regjisoriale gazeta gjermane LR Online shkruan “Kaputtes Auto, kaputtes System” (makinë e prishur, sistem i prishur). Rruga që përshkon grupi është vendosur në një fshat, një zonë rurale ku as telefon nuk ka. Ironia e shoqëron të gjithë pjesën e dytë të filmit, ku humori i hollë që nuk pritet në një subjekt kaq tragjik del në pah paralelisht me daljen e diellit.

Po kështu, filmi “Krom” duhet thënë se ka një simbolikë të fortë, të shpërndarë në detaje të vogla kuptimore. Kështu psh. Adi, djali adoleshent, që është personazhi kryesor, shikon tek mësuesja modelin e tij të rinisë, atë se çdo të thotë të jesh i maturuar (mbi 18 vjeç) dhe i lirë të bësh çfarë të duash. Ajo është një mësuese moderne që jeton e pavarur në një qytezë, që dëgjon muzikë metal dhe vishet sikur vjen nga një epokë tjetër.

Mirëpo kush vjen nga qytetet e vogla e di mirë, se gjithmonë është dikush që bie në sy më shumë se të tjerët, që injoron mentalitetet e ndrydhura, megjithë sakrificat dhe vuajtjet shpirtërore që e shoqërojnë këtë proces të ngritjes së unit personal mbi shoqërinë. Kjo temë e sintetizuar në një karakter, përbën një mesazh të rëndësishëm të filmit, që na jep dorëtë kuptojmë më mirë personazhin kryesor.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishmja, është zgjedhja e aktorëve. Për regjisorin ka rëndësi një kastë e mirë aktorësh, ajo është- siç thotë vetë regjisori- 50 % e suksesit.

Por Alimani ka treguar me filmat e tij më të hershëm, se edhe aktorë fare ose pak të njohur për publikun mund të qëndrojnë shumë mirë në një film të çfarëdolloj përmase (me metrazh të shkurtër apo të gjatë qoftë, pra pavarësisht peshës apo vështirësisë së filmit).

Kjo kërkon guxim, është risk për filmin dhe për vetë karrierën e çdo regjisori. Në fushën e kinematografisë thuhet, se një regjisor i mirë shndërron çdo aktor në brilant. Dhe mesa duket ky është rasti.

Kështu, Luli Bitri nuk ka shkëlqyer asnjëherë si tek “Amnistia”, partneri i saj në rol, Karafil Shena, edhe pse nuk njihej nga publiku, e kishte bërë të vetin mjaft mirë karakterin e tij; aktori kryesor i “Krom”, Fredjon Ruçi, është një premisë e mirë e kinemasë shqiptare të të rinjve, Klodiana Keco në rolin e nënës memece është brilante, mimika e saj i thotë të gjitha; Kasëm Hoxha në rolin e shoferit tek “Delegacioni” (dy herë në filmat e Alimanit) është njeriu i thjeshtë, por befasues, që me një fjali- kyç na tregon thelbin e filmit; aktorja Adel Gjoka është një tjetër aktore jo e njohur në kinemanë shqiptare, por që solli një intepretim shumë të ndjeshëm si bashkëprotagoniste në filmin “Vëthi i munguar”, krahas të mrekullueshmes Ema Andrea që pas shumë vitesh dedikim në teatër u rishfaq bindshëm në kinema, etj.

Bujar Alimani flet për projektet e reja filmike:

“Tani edhe një serial televiziv”

Suksesi ndërkombëtar i filmit të tij të fundit, “Delegacioni”, solli ‘në shtëpi’ çmime prestigjioze ndërkombëtare, ndër të cilët më i fundit ishte në festivalin e Triestes, Itali. Ai u shfaq me sukses edhe në kinematë greke, pasi është bashkëproduksion grek (gjithashtu edhe francez dhe kosovar).

Por Alimani nuk ndalet me kaq. Një nerv artistik i rrallë, për hir të së vërtetës, që një regjisor të punojë në kaq shumë projekte artistike të njëpasnjëshme ose edhe paralelisht.

Aktualisht, po punon me filmin “Albanian Virgin” (Virgjëresha shqiptare). Premiera ende nuk dihet. Alimani na tregon më shumë rreth kastit të filmit dhe elementëve të tjerë të realizimit të tij:

“Skenari është shkruar nga skenaristja e njohur gjermane Katia Kittendorf dhe produksioni është bërë i mundur nga Anita Elsaninën logon e Elsani Film. Filmi është një bashkëprodhim mes Belgjikës, Kosovës dhe Shqipërisë. Aktorët e kastit janë: Rina Krasniqi, Jonida Vokshi, Nik Xhelilaj, Igli Zarka, Viktor Zhusti, Astrit Kabashi,Lulzim Zeqja, Gëzim Rudi, Gresa Pallaska, Shkurte Sylejmani, Mimoza Ahmeti, Alban Ukaj, Aurita Agushi,Blerta Syrroi,Fatlume Bunjaku, Erjon Hodo, Ersiljano Xhelollaridhe Lum Veseli.Xhirimet e fundit do të realizohen në muajin shkurt, ndërsa në Gjermani do të zhvillohet faza e postproduksionit.” – shprehet regjisori.

Një projekt tjetër, për të cilin ka folur shkurtimisht në një intervistë të mëparshme televizive, është ai i një triptiku që nis me filmin “Vëthi i munguar”, që kishte protagoniste aktoret Ema Andrea dhe Adelë Gjoka.

Dy filma të tjerë me protagoniste po femra dhe në pozicione konfrontuese apo bashkëpunuese, do të na zbulohen edhe në dy filmat e tjerë që regjisori ka planifikuar të realizojë. Mbi mënyrën sesi janë konceptuar, Alimani sqaron se: “Triptiku është i përbërë nga tre skenarë të metrazhit të mesëm, të cilët në vetevete kanë histori të ndryshme , por i lidh, pra i bën së bashku, elementi i dy aktoreve në një vend veprimi.

Të tre filmat në total do të mund të bëjnë një 90 minutësh në kohë, pra sa një film i gjatë. “Vëthi i munguar” është i xhiruar tashmë, kështu që pres vërtet një kohë kur do të mundem të xhiroj edhe dy të tjerët, që janë “Mes dy Katesh” dhe “Vodka me Limon”. Edhe këta filma qëndrojnënëpo atë filozofi me të cilin u krijua i pari, “Vëthi i munguar”, pra janëxhirime indipendente.”

Ndërkohë, ai na zbulon diçka rreth projektit të ardhshëm, që do të jetë një serial televiziv në bashkëpunim me një kompani produksioni gjermane. Ky projekt është risi për filmat e regjisorit, që bashkëpunon për herë të parëme kinemanë gjermane. Në cilën fazë është projekti?

Alimani shprehet entuziast: “Jam duke negociuar detajet e nënshkrimit të një kontrate me një kompani serioze gjermane, për një mini series tv show që do të ketë 6 episode si fillim.

Kasta e aktorëve do të jetë gjermane dhe shqiptare, ndërsa xhirimet do të vendosen kryesisht në Gjermani dhe më pak në Turqi, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri. Ky projekt, i cili do të realizohet në Gjermani,do tëvendosë stadet e para për një hapje të mëtejshme me kompaninë e madhe ndërkombëtare Netflix”.

Duket se synimet e Bujar Alimanit janë të mëdha dhe ai rend drejt tyre me ritmin e tij të shpejtë regjisorial, që nuk dëgjon të ndalet.

Ambiciet e tij, megjithatë, nuk rrjedhin nga një kërkim i thjeshtë për famë, por, përkundrazi, nga një shpirt artisti krijues që ka mbërritur në kulmin e vet.Tashmë mbetet që gara e çmimeve Oscar të na tregojë,nëse filmi “Delegacioni” mund të jetë shansi i artë i shqiptarëve në arenën e kinemasë botërore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *