Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim në Bashkinë e Lushnjës, plagosen kryebashkiaku dhe sekretarja


Një shpërthim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës, duke e lënë të plagosur atë si dhe një person tjetër. Kryebashkiaku Fatos Tushe u mjekua në spitalin e Lushnjës por mjekët e kanë dërguar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. E plagosura tjetër është sekretarja e bashkisë, Erisa Qalliu e cila mendohet se ka qenë me Thushen në zyrë. Ajo është dërguar gjithashtu në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht, siç raporton televizioni ‘News 24’, dyshohet se autor i sulmit ndaj kryebashkiakur është ish-shoferi i tij Gëzim Saraçi, i cili mendohet se i ka hedhur një granatë Tushës në zyrë. Policia e ka shpallur atë në kërkim.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit, kur kryetari Tushe sapo ka mbërritur në bashki. Gëzim Saraçi dyshohet e ka pritur kryetarin te shkallët, dhe më pas janë ngjitur së bashku në zyrën e këtij të fundit. Saraçi dyshohet se i ka hedhur një granatë kryebashkiakut në zyrë dhe më pas është larguar. Dyshohet se në momentin e largimit ai është ndihmuar edhe nga persona të tjerë.

“Sot, rreth orës 09:00, në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnjë, dyshohet se është hedhur një granatë dore dhe për pasojë është dëmtuar Kryetari i Bashkisë shtetasi F. T. dhe sekretarja e Bashkisë, shtetasja E. Q., të cilët ndodhen në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është ish-shoferi i Kryetarit të Bashkisë, shtetasi G. S., i cili pasi ka hedhur granatën është larguar menjëherë nga ambientet e Bashkisë Lushnjë.

Forca të shumta policie të Komisariatit të Policisë Lushnjë, të DVP Fier, Renea e FNSH e Fierit po krehin zonën, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorit.

Grupi i posaçëm hetimor, me Specialistë nga Departamenti i Policise Kriminale ne Policine e Shtetit dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.”– thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq janë ngritur disa postblloqe në të gjitha hyrjet dhe daljet e qytetit. Lidhur me këtë ngjarje është njoftuar edhe kryeministri i vendit Edi Rama, dhe kryeprokurori Olsian Çela.

Policia tha se Tusha ndodhet në spitalin e Lushnjes, por sipas gazetës ‘Panorama‘, pasi mori ndihmën e parë në spitalin e Lushnjës, mjekët kanë vendosur ta dërgojnë Tushen në Tiranë për mjekim të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar. Kryebashkiku ka marrë dëmtime në shpatull dhe në këmbë. Pas tij është nisur për në Tiranë edhe sekretarja Erisa Qalliu, e cila thuhet se është në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *