Sindikata e Minatorvëve të Bashkuar të Bulqizës ka deklaruar se nuk tërhiqet nga kërkesat e saj, të cilave u qëndron me vendosmëri.
Në një status në Facebook, sindikata bën me dije se kërkon rritje të pagës së minatorëve, rishikim të normave të punës, përmirësim të kushteve të punës, njohje të vështirësisë dhe vjetërsisë, kthimin në punë të drejtuesve të sindikatës që janë pushuar në shkelje të ligjit si dhe ndaljen e presioneve ndaj sindikatës.
Në reagim u bëhet thirrje minatorëve që të bashkohen në Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
‘KËRKESAVE TONA JU QËNDROJMË ME VENDOSMËRI
Në fund të muajit nëntor, pas pushimit të paligjshëm nga puna të Elton Debreshit, kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, minatorët u detyruan të hidhen në grevë. Kërkesat ishin disa: rritja e pagës, rishikimi i normave, kthimi në punë i Elton Debreshit, ndalja e presioneve ndaj drejtuesve të sindikatës, etj.
Kompania Albchrome jo vetëm që nuk i mori parasysh kërkesat tona, por u zhyt edhe më shumë në paligjshmëri, duke shkarkuar nga puna edhe 3 anëtarë të Këshillit Sindikal: Beqir Duriçin, Behar Gjimin dhe Ali Gjetën.
Më 26 dhjetor 2019 i kemi nisur kompanisë Albchrome formularët e anëtarësimit në sindikatën tonë, si prova e qartë që tashmë jemi sindikata më e madhe në kompani. Po ashtu, kemi nisur edhe kërkesën për nisjen e bisedimeve për kontratën e re kolektive. Në pritje të përgjigjes nga Albchrome, e cila nuk duhet të vazhdojë me shkelje të mëtejshme të Kodit të Punës, kërkesat vazhdojnë të jenë po ato, dhe do t’u qëndrojmë me vendosmëri:
– rritje e pagës për minatorët;
– rishikim i normave të punës;
– përmirësim i kushteve të punës;
– njohja e vështirësisë dhe vjetërsisë;
– kthimi në punë i drejtuesve të SMBB-së, të pushuar në shkelje të ligjit;
– ndalje e presioneve të vazhdueshme ndaj SMBB-së, etj.
Minatorë, shokë dhe vëllezër, bashkohemi në Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës! – thuhet në reagim.