Vendosni fjalën kyçe....

Një shpjegim i detajuar: Çfarë është Garda Revolucionare e Iranit


E ideuar si gardiani kryesor i revolucionit të vitit 1979, Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit evoluoi në një institucion me fuqi të jashtëzakonshme politike, ekonomike dhe ushtarake

*Një vështrim nga editorët e Këshillit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Korpusi  i Gardës Revolucionare Islamike u themelua si një rojtar ideologjik i Revolucionit të vitit 1979 në Iran.

Detyra e tij ishte mbrojtja e Republikës Islamike nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme dhe prej atëhere roli i tij është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, duke ndikuar në politikën e jashtme të Iranit dhe në kontrollin e segmenteve të konsiderueshme të ekonomisë.

Lidhjet e Gardës me aktorë jo-shtetërorë të armatosur në rajon si Hezbollahu në Liban, e kanë ndihmuar Iranin të kompensojë ushtrinë e vet kombëtare të dobët dhe të zakonshme.

Kjo forcë, i përgjigjet drejpërdrejt vetëm liderit suprem të Iranit dhe është shumë ndikuese në politikën e brendshme edhe për faktin se shumë zyrtarë të lartë kanë kaluar më parë në radhët e saj.

Në Prill të 2019, Presidenti i SHBA Donald J. Trump e klasifikoi Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike si një organizatë të huaj terroriste duke u shprehur se “merr pjesë, financon dhe promovon terrorizmin si një mjet për qeverisje”. Ishte hera e parë që një agjenci shtetërore e sigurisë cilësohej në këtë mënyrë, ndonëse Garda ishte sanksionuar ashpër edhe më parë.

Gardianë të Revolucionit

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike u themelua menjëherë pas rënies së Shahut Mohammad Reza Pahlavi ndërsa majtistët, nacionalistët dhe islamistët garonin për të vendosur kursin që do të merrte republika revolucionare.

Teksa Kryeministri i përkohshëm kontrollonte qeverinë dhe institucionet shtetërore përfshirë dhe ushtrinë, shumë klerikë dhe dishepuj të Ayatollah Ruhollah Khomeini, organizuan kundërpesha ndaj këtyre institucioneve të trashëguara.

Mes tyre, ishte dhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike i cili operonte përtej ligjshmërisë dhe gjyqësorit. Duke u përgjigjur vetëm përpara liderit suprem, struktura e vet komanduese e tejkalonte presidentin e zgjedhur.

Ithtarët e saj konsideroheshin si “ushtria popullore” e cila po ndihmonte në konsolidimin e revolucionit ndërkohë që Khomeini, lideri suprem themelues po ravijëzonte një shtet i cili bazohej në konceptin e velayat-e faqih, ose kujdestari i juristit. Synimi ishte ngritja e një Irani si republikë kushtetuese, që do ishte e mbështjellë brenda një strukturë teokratike.

Qëllimi i Khomeinit ishte që Garda të mbronte regjimin e ri nga një grusht shteti si ai i vitit 1953, i cili rrëzoi qeverinë e ardhur në pushtet nga votat të Mohammed Mossadeq dhe që risolli sërish Shahun në pushtet.

Lufta Iran-Irak (1980-1988) e transformoi Gardën në një forcë më konvencionale ndërluftuese duke adoptuar një strukturë komandimi të ngjashme me atë të ushtrive perëndimore.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike (International Institute for Strategic Studies) sot, ashtu tërësisht e institucionalizuar, me 125.000 trupa nën komandën e vet, Garda mbetet një forcë paralele ndaj forcave të armatosura të Iranit.

Degët e saj janë:

  • Forcat e terrenit të grupuara përgjatë tridhjet e një provincave të Iranit si dhe Teheranit, me më shumë se njëqindmijë trupa;
  • Forcat paramilitare Basij, që mund të mobilizojë deri në gjashtëqindmijë vullnetarë
  • Forcat detare, të cilat janë të shkëputura nga forca detare e ushtrisë së Iranit. Këto forca kanë rreth njëzetmijë forca dhe kanë si përgjegjësi patrullimin e kufijve detarë të Iranit duke përfshirë dhe ngushticën e Hormuzit nëpërmjet së cilës (sipas Agjencisë së Informacionit të Energjisë së SHBA) kalojnë tranzit pothuajse një e pesta e produkteve të naftës bruto dhe produkteve të saj, në rang botëror.
  • Një forcë ajrore, gjithashtu e shkëputur nga dega paralele e ushtrisë, e cila drejton tërësisht programin e raketave ballistike të Iranit; dhe
  • Një komandë kibernetike, e cila (sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike) bashkëpunon me biznese të lidhura me Gardën në çështje të spiunazhit ushtarak e tregtar si dhe në shpërndarje të propagandës ndonëse është ende e paqartë marrëdhënia e tyre me hakerat e shtetërore.

Forcat e Armatosura të Iranit vs Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike

Forcat e Armatosura – Ushtria e Zakonshme

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike

Aktiviteti ndërkombëtar

Sapo Garda u dislokua jashtë kufijve gjatë Luftës Iran-Irak, nisi të sponsorizonte grupe të armatosura jo-shtetërore në rajon. Forcat Kuds, forcat e deleguara jashtë kufijve, dolën në pah ‘de facto’ si dega e punëve të jashtme të Gardës dhe u lidh me grupet e armatosura në Afganistan, Irak, Liban, territoret palestineze dhe kudo në rajonin e Lindjes së Mesme duke iu ofruar atyre trajnim dhe këshillim ushtarak me qëllimin e projektimin të fuqisë së tyre jashtë kufijve.

Nëpërmjet kultivimit të lëvizjes shia libaneze Hezbollah, Irani synoi të eksportonte revolucionin dhe më vonë, të ruante një deterrent kundër agresionit izraelit. Hezbollahu ndante të njëjtën armiqësi me Iranin kundër SHBA-së dhe Izraelit, teksa ky i fundit, mbante të pushtuar Libanin jugor në atë kohë.

Bombardimet e Ambasadës Amerikane dhe të kazermave të Marinës amerikane dhe franceze në Beirut në vitin 1983 si dhe eliminimi i kundërshtarëve të regjimit në atë territor, i atribuohen operativëve iranianë. Dyshohet se ata janë gjithashtu autorë të bombardimeve të Qendrës Hebreje në Buenos Aires në vitin 1994, një akuzë të cilën Irani e mohon edhe sot.

Përfshirja e Gardës në Irak, pas pushtimit të SHBA-së në 2003 u kthye në një pikë mosmarrëveshjesh mes Teheranit dhe Uashingtonit. Presidenti i SHBA-ve George W. Bush i cili më parë e kishte cilësuar Iranin si anëtar të “boshtit të së keqes” akuzoi në 2007 Forcat Kuds për furnizimin e militantëve Shia me bomba dhe mina tokësore me qëllim vrasjen e forcave amerikane, edhe pse ekspertët brenda dhe jashtë qeverisë amerikane ngritën pikëpyejtje nëse këto urdhra vinin nga qeveria e Iranit.

Administrata Trump i faturon Gardës humbjen e 608 trupave amerikane në Irak në periudhën 2003-2011.

Me nisjen e revoltave Arabe në 2011, Forcat Kuds u dislokuan në Siri. Fillimisht, zyrtarët iranianë pretenduan se anëtarët e saj po zhvillonin një mision të kufizuar në mbrojtje të tempujve Shia; por më vonë ata do të pranonin se Forcat Kuds po ndihmonin Presidentin sirian Bashar al-Assad për të shtypur lëvizjen e protestuesëve.

Kur kryengritja u kthye në luftë civile, Forcat Kuds shërbyen jo vetëm si këshilltarë ushtarakë por si forca të vijës së parë – një fakt i cili u bë i qartë pas numrit të madh të funeraleve të ushtarëve paramilitarë si dhe disa gjeneralëve të njohur, Shumë prej tyre kishin luftuar me Forcat Kuds dhe nuk ishin iranianë por militantë të Hezbollahut në Liban, ose refugjatë afganë, të rekrutuar nga Garda.

Në përgjigje të ngritjes së të vetëshpallurit Shtet Islamik, zyrtarët iranianë zgjeruan praninë e Forcave Kuds në Irak dhe Siri. Ata lëshuan një paralajmërim se nëse grupet militante sunite nuk do të mposhteshin aty, atëhere një ditë ata (militantët sunitë) do të marshonin drejt Teheranit.

Në Irak, mobilizimi popullor i dhjetra-mijërave militantë Shiitë eklipsoi me shpejtësi ushtrinë kombëtare e cila performonte dobët përballë avancimit të shpejtë të Shtetit Islamik në 2014.

Shumë nga kjo milici iu betua për besnikëri liderit suprem të Iranit dhe komandoheshin nga komandantë të cilët bashkëpunonin me Forcat Kuds, kundër pushtimit të SHBA, në dekadën e shkuar.

Abu Mahdi al-Muhandis, një efektiv me kombësi të dyfishtë iraniano-irakiane, i cili drejtoi mobilizimin, kishte shërbyer si oficer i Forcave Kuds. Teksa mobilizimi furnizonte me forca tokësore për sprapsjen e Shtetit Islamik, Shtetet e Bashkuara vinin në dispozicion forcë ajrore, duke luajtur efektivisht rolin e rojeve të partnerëve sekretë të forcave të SHBA.

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo paralajmëroi Bagdatin rreth ndikimit të fuqishëm Iranian, ndonëse tanimë zyrtarët irakianë po mbështeteshin tek Irani, jo vetëm për siguri, por gjithashtu për çështje të energjisë dhe tregtisë.

Influenca në politikën e brendshme

Garda Revolucionare është gjithashtu një aktor kryesor në politikën e brendshme të Iranit duke u bërë, ashtu siç e cilëson dhe Ray Takeyh nga Këshilli për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ‘organizata më e rëndësishme e vendit’.

Pasi përftuan fuqi, si një kundërpeshë ndaj presidencës së reformisitit Mohammad Khatami në periudhën 1997-2005, numri i gardianëve në jetën politike u rrit në mënyrë të konsiderueshme gjatë mandatit të parë qeverisës së pasuesit të tij, Mahmoud Ahmadinejad.

Lideri suprem Ali Khamenei, që drejtoi Gardën gjatë luftës Iran-Irak, emëroi ish-komandantë të lartë të tij në pozicione kyçe të larta politike dhe gjithashtu futi në parlament ish-anëtarë të Gardës, të cilët kishin tendencën të mbronin politikën e jashtme të vijës së ashpër si dhe mbështesnin zhvillimin e një programi bërthamor civil.

Karim Sadjadpour, anëtar i Fondit Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, në vitin 2009 bëri një studim rreth marrëdhënies që Khamenei kishte zhvilluar me Gardën Revolucionare, marrëdhënie kjo e cila ishte “një simbiozë në rritje, e leverdishme politikisht për vetë Liderin dhe e leverdishme ekonomikisht për vetë gardianët” duke ndihmuar kështu që të kompensonte kështu faktin se atij i mungonte autoriteti i Liderit shpirtëror Khomenei.

“Ai është komandanti i përgjithshëm i tyre dhe emëron komandantët e tyre të lartë të cilët në këmbim e respektojnë atë publikisht dhe në të njëjtën kohë korrin përfitimet e të paturit një rol më aktiv në vendimmarrje politike dhe në aktivitetet ekonomike.” – shkruan ai

Në vitin 2007, forcat paramilitare Basij u vendosën nën komandën e drejtpërdrejtë të Gardës, një riorganizim ky të cilin disa analistë ia atribuuan një vemendjeje të përforcuar rreth perceptimit të kërcënimeve të brendshme ndaj regjimit.

Në Qershor të 2009, mendohet se Garda ndihmoi të “rregullonte” zgjedhjet presidenciale në favor të Ahmadinejad. Mes demonstratave të mëdha popullore për vjedhjen e zgjedhjeve, grupet e të drejtave të njeriut, dokumentuan forcat Basij duke dhunuar protestuesit. Mijëra u ndaluan dhe shumë aktivistë dhe politikanë reformistë u burgosën.

Garda ndërhyri sërish në politikën e brendshme në zgjedhjet e vitit 2013. Teksa Hassan Rouhani po mbizotëronte mbi kandidatët e vijës së ashpër, të cilët favorizoheshin nga anëtarë të gardës, disa raporte dhanë indicie se Garda krijoi një atmosferë intimidimi përpara ditës së votimit dhe i bëri presion Këshillit të Gardianëve, të cilët kryejnë vetingun e kandidatëve rreth përshtatshmërisë së tyre ideologjike, që të eliminonin nga gara kandidatët të cilët i konsideronin të papranueshëm.

Mes të skualifikuarve ishte dhe një figurë e njohur revolucionare, Akbar Hashemi Rafsanjani, i cili u pezulllua pasi ishte shumë i pavarur nga Khamenei.

Qendër e Fuqisë Ekonomike

Mes interesave politikë që anëtarët e Gardës mbrojnë, qëndron një perandori ekonomike me vlerë sa një e treta e ekonomisë së Iranit. Një raport i 2009-ës i organizatës RAND arriti në konkluzionin se aktiviteti ekonomik i Gardës nisi në momentin që iu ngarkua detyra e ndërtimit të infrastrukturës së shkatërruar nga lufta Iran-Irak.

Anëtarët e Gardës janë përhapur që atëherë në shumë industri, banka, tregti detare, fabrika dhe gjithashtu importin e konsumit. Influenca politike i siguron kompanive të lidhura me Gardën kontrata jo-detyruese shtetërore për shërbime në sektorin e naftës dhe gjithashtu zhvillimin e infrastrukturës.

Sipas raportit të RAND, ky aktivitet ekonomik ka pasuruar zyrtarët e Gardës dhe ndihmojnë në financimin e aktiviteteve luftarake si blerja e armëve, operacionet e fshehta jashtë kufijve dhe programin bërthamor të mëparshëm të Iranit si dhe mbështesin veteranët dhe familjet e anëtarëve të vrarë.

Punët publike në zonat rurale të Iranit i japin Gardës vullnetin e mirë i cili i mungon në zonat urbane, duke siguruar kështu gjithashtu vende pune për vullnetarët Basij. Kur përmbytjet shkatërruan zona rurale në Iranin perendimor në Prill të 2019, gardianët vullnetarë morën rol drejtues në përpjekjet për kërkim-shpëtim. Në Siri, Rouhani i ka ngarkuar Gardës detyrën e organizimit të iniciativës Iraniane për rindërtim.

Garda merr pjesë gjithashtu në një treg të zi masiv. Disa analistë thonë se vërshimi i sanksioneve nga SHBA-ja ndaj Iranit kanë qenë shumë fitimprurëse; meqënëse bizneset iraniane janë shkëputur nga financat dhe tregtia ligjore, kjo i ka rritur shanset dhe mundësitë tregut të zi të Gardës.

Me rivendosjen e sanksioneve të naftës nga SHBA-ja, të cilat ishin hequr në 2015 pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore me Iranin, Garda do të ketë një mundësi të ripërtërirë për të kontrabanduar produkte të naftës.

Departamenti i Thesarit të SHBA-së, i klasifikoi Forcat Kuds si një mbështetës të terrorizmit në vitin 2007 dhe vendosi sanksione të mëtejshme mbi zyrtarët e Forcës Kuds në 2011 pas një tentative të dështuar për vrasjen e ambasadorit saudit në SHBA.

Duke patur parasysh se këto sanksione nuk u ndikuan nga marrëveshja e vitit 2015, pasojat kryesore të klasifikimit nga Trump si një organizatë terroriste do të ndjehen kudo në rajonin e Lindjes së Mesme, sidomos në Irak, ku ligjvënësit dhe komandantët ushtarakë kanë kontakte të rregullta me Gardën si dhe në Liban, ku Hezbollah është në parlament.

Pasi Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo, bëri lajmërimin për këtë klasifikim, agjencia Reuters raportoi se Departamenti Amerikan i Shtetit do ta zbatonte atë në mënyrë selektive në mënyrë që zyrtarët e huaj, kompani dhe organizata humanitare në rajon të mos penalizoheshin automatikisht për bashkëpunimin me Gardën.

*Artikullin origjinal e gjeni Këtu

Shqipëroi Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *