Juventusi nuk e ka në mendje të dorëzohet për transferimin e sulmuesit të Interit Mauro Icardi. Sipas mediumit italian Calcio Mercato, bardhezinjtë do të tentojnë ta transferojnë argjentinasin gjatë afatit kalimtar të verës.
26-vjeçari Mauro Icardi është duke e shijuar një formë të mirë me Paris Saint-Germain, ku për momentin është i huazuar nga Interi. Ai i ka shënuar 14 gola në 18 ndeshje në të gjitha garat..
Kjo formë e tij e mirë e ka shtuar interesimin e Juventusit edhe më shumë. Drejtori sportiv i bardhezinjve, Fabio Paratici, kishte tentuar ta sjellë argjentinasin në Allianz edhe gjatë verës së kaluar, mirëpo në fund ai u huazua në PSG.
Klubi parisien ka marrëveshje me Interin për ta blerë në mënyrë permanente Icardin në maj nëse do, mirëpo në marrëveshje besohet se sulmuesi e ka një klauzolë që ia jep lirinë atij ta prishë marrëveshjen.
Kjo klauzolë mund të shkojë në favor të Juventusit, pasi që edhe Icardi mund të tundohet nga kthimi në Itali, ku bëri emër me Interin, pasi e kishte kaluar një periudhë me Sampdorian.